Site icon Telegrafi

Arrestohen tre persona në Rahovec, dyshohet se kanë vjedhur makineri në vlerë 250 mijë euro

Foto: Ilustrim

Policia në Rahovec ka arrestuar tre persona të dyshuar për një vjedhje të rëndë të bërë para disa ditësh. Rasti është paraqitur në polici më datë 4 shkurt, ku ankuesi, menaxheri i gurthyesit ka deklaruar se i janë vjedhur makina të cilat arrijnë vlerën 250 mijë euro.

Në lidhje me këtë policia ka arrestuar sot rreth orës 10:00 tre persona të dyshuar.

“Pas një pune intensive operativo hetimore hetuesitë e Sektorit Rajonal të Hetimeve kanë arritur që sot më datë 11.02.2020 në ora 10:00 të identifikojnë dhe arrestojnë tre persona të dyshuar si kryes të mundshëm të kësaj vepre penale: Xh . M, m/sh/ shtetas i Kosovës, i lindur 1976, B . V m/sh/ shtetas i Kosovës, i lindur 1989, B . I m/sh/ shtetas i Kosovë i lindur 1979”, thuhet në njoftimin e policisë.

Megjithëse rasti ka ndodhur në Rahovec, për shkak të vlerës së madhe të pajisjeve të vjedhura, mënyrës dhe rrethanave të kryerjes së veprës penale, rasti është transferuar për hetim në Sektorin Rajonal për Hetime të Drejtorisë Rajonale të Policës në Gjakovë.

Hetuesit policor kanë arritur të sigurojnë edhe një sasi të konsiderueshme të provave përkatësisht të makinerive të vjedhura në një seperacion në një fshat të komunës së Gjakovës.

“Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, dhe me urdhër të së cilit dy personat e dyshuar për kryerje të veprës penale ,,Vjedhje e rëndë”, mbahen në ndalim policor për 48 orë, ndërsa personi i tretë i dyshuar për veprën penale ,,Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” lirohet në procedurë të rregullte”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version