Site icon Telegrafi

Arrestohen tetë shtetas të Maqedonisë në Sllovaki, kanë punuar në të zezë

Ministria e Punëve të Jashtme konfirmoi se në Sllovaki janë arrestuar tetë shtetas të Maqedonisë, të cilët kanë punuar me kontrata të rrejshme për punë. Zëdhënësja e MPJ-së, Elena Presillska deklaroi për Agjencinë Informative të Maqedonisë, se Ambasada në Vjenë, e cila është e obliguar për Sllovakinë, ka realizuar kontakt me kompetentët në MPJ-në sllovake dhe shërbimet sllovake për migrim, me ç’rast është përcaktuar se më 17 tetor rreth orës 19 janë arrestuar 62 persona, në mesin e së cilëve edhe tetë shtetas të Maqedonisë.

Ata janë arrestuar gjatë daljes nga hapësirat e fabrikës “Shin Heung Precision Slovakia”, në afërsi të Tërnavës. Në mesin e të arrestuarve, përveç tetë shtetasve të Maqedonisë, 23 janë nga Serbia, 27 nga Ukraina dhe katër nga Bosnjë e Hercegovina, përcjell Telegerafi Maqedoni.

Ata pas arrestimit janë transportuar në qendrën për të huaj në Dubravë, e cila ndodhet në afërsi të kufirit sllovako-hungarez dhe e cila shërben për vendosjen e personave, të cilët në mënyrë ilegale jetojnë ose punojnë në Sllovaki.

Të arrestuarit ditën e ardhshme janë liruar dhe u është përcaktuar afat prej shtatë ditësh ta braktisin Sllovakinë, ndërsa u është shqiptuar edhe ndalesë për hyrje në BE. Vetëm tre persona, jo shtetas të Maqedonisë nuk janë liruar po mbahen akoma për shkak të dokumenteve të falsifikuara.

Exit mobile version