Katër persona janë arrestuar lidhur me sulmin ndaj dy të rinjve shqiptarë në Novi Sad që ndodhi mes natës së shtune dhe diele, ka njoftuar ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, shkruajnë mediat serbe.
“Pas hetimeve policia ka arritur të identifikojë të gjithë sulmuesit që kanë rrahur dy të rinjtë shqiptarë, me ç’rast i ka arrestuar nën dyshimin se kanë kryer vepër penale. Gjatë arrestimit policia i ka gjetur edhe teshat e të dyshuarve që i kanë pasur veshur në natën e sulmit, gjë që janë dëshmi të forta për gjykatën”, ka shtuar Stefanoviq, transmeton Telegrafi.
Kujtojmë se shqiptarët G.B. dhe Ç.M, që të dy 19-vjeç janë rrahur brutalisht në rrugën Futoshka në Novi Sad.
Lidhur me këtë sulm brutal është deklaruar edhe njëri nga të rinjtë shqiptarë, i cili ka pranuar se ishin nisur për në shtëpi dhe duke folur në gjuhën shqipe i kishte dëgjuar një grup të rinjsh, të cilët pa kurrfarë arsye filluan t’i godasin.
Si pasojë e sulmit njëri prej të rinjve shqiptarë ka pësuar lëndime të rënda trupore, me ç’rast mjekët janë detyruar të kryejnë një intervenim kirurgjik për t’ia shpëtuar jetën. /Telegrafi/