Site icon Telegrafi

Arrestohen planifikuesit të rrëmbimit të ministrit gjerman të Shëndetësisë

Policia gjermane ka arrestuar katër shtetas gjermanë të dyshuar për komplot ndaj ministrit gjerman të Shëndetësisë, Karl Lauterbach dhe shkatërrimin e infrastrukturës së energjisë për ta mbajtur vendin pa energji elektrike.

“Dy të dyshuarit kryesorë besohet se kanë rënë dakord me të tjerët për të sulmuar ministrin federal të shëndetësisë”, tha të enjten zëdhënësi i prokurorisë së Koblenz, duke konfirmuar një raport nga televizioni gjerman ARD.

Të dyshuarit e arrestuar këtë javë ishin të lidhur me grupet që protestonin kundër kufizimeve pandemike dhe lëvizjes së ekstremit të djathtë Reichsbuerger, e cila mohon ekzistencën e një shteti modern gjerman, tha prokuroria. Rrëmbimi i planifikuar i Lauterbach është i fundit në një seri incidentesh që ilustrojnë zemërimin e disa gjermanëve për kufizimet e vendosura ndaj të pavaksinuarve kundër coronavirusit dhe propozimet për ta bërë vaksinimin të detyrueshëm për të gjithë.

Policia gjermane në dhjetor pengoi një plan të aktivistëve kundër vaksinimit për të vrarë kryeministrin sakson. Të dyshuarit në këtë rast kanë komunikuar në grupin e bisedave Vereinte Patriote (Patriotët e Bashkuar) dhe “synojnë të provokojnë kushte si në luftën civile dhe përfundimisht të përmbysin sistemin demokratik në Gjermani”, sipas prokurorisë.

Autoritetet kontrolluan 20 prona në disa shtete gjermane të mërkurën dhe sekuestruan armë, para në euro dhe valutë të huaj, shufra ari dhe monedha argjendi. U gjetën gjithashtu certifikata të falsifikuara të vaksinimit dhe teste për coronavirus. Prokurorët kanë kërkuar nga gjyqtari që të lëshojë urdhër-arrest për katër të dyshuar të arrestuar, ndërsa një i pesti është ende në arrati. /Telegarfi/

Exit mobile version