Një njëzet vjeçar në lokacione të ndryshme të vendit për një periudhë të gjatë kohore e ka detyruar një të mitur që të kryejë marrëdhënie seksuale me persona të ndryshëm ndërsa në këmbim ai është pasuruar me nga 1 mijë deri në 2 mijë denarë. I dyshuari kryesor me inicialet M.K do të ndiqet penalisht nën dyshime për trafikim me të mitur. Policia ka arrestuar edhe pesë persona tjerë që kanë shfrytëzuar shërbime seksuale nga e mitura.
“Përkatësisht, V.D.(39), K.R.(24), V.B.(26) dhe A.D.(23) nga Kavadari dhe N.I (21) nga Negotina, në periudhën prej gushtit deri më 19 shtator 2022 veprën penale e kanë kryer duke përdorur shërbime seksuale nga e mitura në lokacione të ndryshme, për kompensim në të holla prej 1000 deri në 2000 denarë. M.K.(20), duke përdorur forcë fizike dhe kanosje, si dhe dhunë psikologjike, e ka detyruar të miturën të kryejë akte seksuale dhe të ofrojë shërbime seksuale për pesë personat e denoncuar. Për M.K., hetimet po kryhen për veprën penale “Trafikim me fëmijë” (neni 418 d i Kodit Penal) nga Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit”, njoftojnë nga Ministria për Punë të Brendshme.
Mësojmë se i dyshuari kryesor për të arritur qëllimin e tij, i cili ka qenë përfitimi financiar, të miturën e kishte dhunuar fizikisht dhe psiqikisht, duke e kërcënuar atë që të veprojë sipas urdhrave të tij.
Rasti po hetohet nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion ndërsa dy ditë më herët është kryer bastisje nga Njësiti Kombëtar Kundër Kontrabandës së Emigrantëve dhe Trafikimit të Qenieve Njerëzore në shtëpitë dhe lokalet e të gjithë personave të denoncuar, me çka, edhe janë privuar nga liria ndërsa me propozim të prokurorit publik, gjykata të dyshuarve ju ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve.
Ky nuk është rasti i vetëm në Maqedoninë e Veriut që një e mitur tregtohet për shërbime seksuale ndërsa gjykatat jo gjithmonë shqiptojnë dënimet maksimale për këto raste. Dy javë më herët Gjykata e Apelit i uli dënimin ish-policit Aleksandar Kostovski i cili shfrytëzonte fëmijë nën 14 vjet për shërbime seksuale.
Përderisa këto raste janë në rritje, pjesa më e madhe e pedofilëve të regjistruar janë në liri ndërsa ueb-faqja ku mund të shihet se kush janë ato me qëllim të ndërmarrjes së masave parandaluese, përkatësisht Regjistri i Pedofilëve, vazhdon të jetë jashtë funksionit. /Alsat/