Janë arrestuar tre prej autorëve të dyshuar të vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj, arrestimi i tyre ka ndodhur në Angli.
Policia e Shtetit përmes një njoftimi për media njofton se falë bashkëpunimit të informacionit në kohë, policia britanike mundi ta lokalizojë vendodhjen e tyre, transmeton Telegrafi.
“Falë bashkëpunimit të ngushtë mes Policisë shqiptare dhe asaj britanike, pas shkëmbimit të informacionit, lokalizohen dhe kapen në Londër, 3 prej autorëve të dyshuar të vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj. Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore dhe kërkimore, për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim për vrasjen e 51-vjeçarit Ardian Nikulaj, falë shkëmbimit të informacionit në kohë, Policia britanike mundi të lokalizojë në Londër, të kapë dhe të vërë në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, 3 prej shtetasve të shpallur në kërkim, konkretisht shtetasit E. H., Th. M. dhe S. H”, thuhet në njoftim.
Policia e Shtetit tutje njofton se “vijon intensivisht punën, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët për lokalizimin dhe kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen”.
Biznesmeni Ardian Nikulaj është vrarë para disa ditësh në lokalin e tij. /Telegrafi/