Zyrtarët e doganave tajlandeze kanë arrestuar gjashtë shtetas indianë të cilët u kapën në përpjekje për të kontrabanduar jashtë vendit dhjetëra kafshë të egra, duke përfshirë një panda të kuqe dhe një majmun tamarin.
Të paketuara brenda valixheve të të dyshuarve indianë në aeroportin Suvarnabhumi të Bangkokut janë gjetur 87 kafshë si hardhuca, zogj, dhe gjarpërinj.
Bëhet e ditur se ata po përpiqeshin të fluturonin për në Mumbai, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.
Tajlanda është një nga qendrat kryesore të botës e njohur për kontrabandën e paligjshme të kafshëve të egra, tregti kjo shumë fitimprurëse për shkak të biodiversitetit të pasur.
“Ne kemi zbuluar 29 hardhuca, 21 gjarpërinj, 15 zogj, gjithsej 87 kafshë. Kafshët ishin fshehur brenda valixheve”, tha departamenti i doganave.
Fotot e publikuara shfaqin një panda të kuqe, specie kjo mjaft e rrezikuar, dhe një majmun tamarin i vendosur në një kuti plastike.
Nëse shpallen fajtorë, të dyshuarit mund të përballen me një maksimum prej 10 vitesh burg ose një gjobë sa katërfishi i shumës së detyrimeve të importit.
Ndryshe, në shkurt, një burrë nga Mongolia u arrestua në të njëjtin aeroport me dyshimin se u përpoq të kontrabandonte dragonjtë Komodo, pitonë, dhe më shumë se 20 peshq të gjallë.
Drejtoresha e Azisë Juglindore për Trafikun, Kanitha Krishnasamy, tha se ka pasur një “nivel shumë aktiv dhe të vazhdueshëm të trafikimit të kafshëve të gjalla midis Azisë Juglindore dhe Jugore”, veçanërisht pas heqjes së bllokimeve nga Covid. /Telegrafi/