Site icon Telegrafi

Arrestohen dy të dyshuarit e arratisur nga Dubrava

Përmes një kumtese për media, Policia njoftoi se më 17 tetor 2011, rreth orës 23:00, njësitet policore të rajonit të Prizrenit të asistuara nga Njësiti special operativ, pas një operacioni policor të organizuar mirë, kanë arrestuar të dyshuarin Rushit Muhamet Thaçi, i cili para tri ditëve së bashku me të dyshuarin Sabit Baki Behluli janë arratisur nga Qendra Korrektuese në Dubravë.

Arrestimi i të dyshuarit mësohet se është bërë në shtëpinë e tij e cila gjendet në fshatin Caparc të rajonit të Prizrenit.

I arrestuari Rushit Muhamet Thaçi, i lindur më 28 dhjetor 1974, është i dënuar me 15 vjet burg, për vepër penale “Vrasje”, i njëjti nën përcjellje policore është dërguar në Qendrën Korrektuese në Dubravë.

Ndërsa sot me 18 tetor 2011 rreth orës 09:10 minuta, njësitet e hetuesisë së stacionit policor të Suharekës, të asistuara nga njësitet policore të nënstacionit policor të Mushtishtit, kanë arritur që ta arrestojnë edhe personin e dytë Sabit Baki Behluli po ashtu i arratisur nga Qendra Korrektuese në Dubravë me po të njëjtën datë.

I arrestuari Sabit Baki Behluli, i lindur më 20 gusht 1985 është i dënuar me 2 vjet e 1 muaj burg, për vepër penale “Vjedhje e rëndë”, i njëjti nën përcjellje policore është dërguar në Qendrën Korrektuese në Dubravë.

Arrestimi i tyre është kryer pas informacioneve inteligjente se të arratisurit dyshohej se gjendeshin të strehuar në shtëpitë e tyre tek familjarët. /Telegrafi/
 

Exit mobile version