Policia e Shtetit ka njoftuar se ka zbuluar një rast ku disa emigrantë kanë tentuar të kalojnë ilegalisht kufirin.
Rasti ka ndodhur në Shkodër, ku edhe ka arrestuar dy persona, transmeton Telegrafi.
“Transportonin emigrantë nga India, kundrejt pagesave, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetas. Sekuestrohen automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët dhe një shumë parash e përfituar nga kjo veprimtari kriminale. Si rezultat i patrullimeve të vazhdueshme në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, është siguruar informacion se 2 shtetas po bashkëpunonin për të transportuar kundrejt pagesave, disa emigrantë që synonin të kalonin kufirin, ilegalisht”, njofton Policia e Shtetit.
Policia shton tutje se, në bazë të këtyre informacioneve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe dhe specialistët për Hetimin e Trafiqeve të DVP Shkodër kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë arrestuar në flagrancë shtetasit R. D., 21 vjeç, banues në fshatin Golem dhe A. Gj., 25 vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg”.
“Në afërsi të rrethrrotullimit të fshatit Dobër, është lokalizuar dhe ndaluar për kontrolle, automjeti tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin R. D. dhe ku ishte pasagjer shtetasi A. Gj. Në këtë automjet ishin 3 emigrantë nga India, të cilët po transportoheshin nga 2 të arrestuarit, kundrejt pagesave, me qëllim kalimin e kufirit, në mënyrë të kundërligjshme, me destinacion vendet e BE-së”, bën të ditur Policia.
Tutje, Policia njofton se automjeti u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, së bashku me 150 euro të dyshuara të përfituara nga transportimi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/