Telegrafi

Arrestohen dy persona në Gjilan për ‘falsifikim të parasë’

Policia e Kosovës, konkretisht Njësia e Krimeve Ekonomike dhe Antikorrupsion-Gjilan ka pranuar informatën nga një bankë komerciale në Gjilan se në tri raste, në kohë të ndryshme, janë depozituar kartëmonedha 50€.

Pas ekzaminimit të kartëmonedhave, të gjitha kanë rezultuar të jenë të falsifikuara.

Gjatë hetimeve intensive policore, janë siguruar dëshmi se një person i dyshuar ka vënë në qarkullim kartëmonedha të falsifikuara përmes ATM (bankomatit), pastaj ka shkuar në ATM-në tjetër të së njëjtës bankë dhe ka tërhequr shumën e njëjtë të parave duke bërë “ndërrimin” e parave të falsifikuara me ato origjinale.

Policia ka arritur ta identifikojë personin e dyshuar dhe i njëjti  është arrestuar. Policia përmes hetimeve ka zbuluar se personi në fjalë nuk ka vepruar i vetëm.

Pos tij, ka arritur të identifikojë edhe një person tjetër të dyshuar të cilin po ashtu e ka arrestuar.

“Me urdhër të Gjykatës Themelore Gjilan, policia kontrollon dy lokacione. Në lokacionin e parë (në vend-banimin e personit që ka deponuar para të falsifikuara) nuk gjen asgjë, kurse në lokacionin e dytë, që i takon personit të dytë të arrestuar, policia ka gjetur dhe sekuestruar përkohësisht, shumën  e parave në vlerë prej 14.900 € (katërmbëdhjetëmijë e nëntëqind euro), që dyshohet se janë fituar me konsumim të Veprës Penale, Neni 302 i KP-së ‘Falsifikim i parasë’”, thuhet në njoftim.

Personat e arrestuar si të dyshuar janë: J.Q 1994 dhe B.D 1986.

Në konsultim me prokurorin kujdestar të Prokurorisë Themelore në Gjilan, të dyshuarit janë ndalur në ndalim policor prej 48 orësh, për të vazhduar me procedurat e mëtejme hetimore. /Telegrafi/