Site icon Telegrafi

Arrestohen 4 policë, lejuan trafikimin e 8 tonë kanabis

Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave ka zbatuar urdhrin e Prokurorisë për Krimet e Rënda për arrestimin e 4 punonjësve të policisë në pikëkalimin kufitar të Qafë Thanës, të dyshuar për “trafikim të lëndëve narkotike” në bashkëpunim.

Të arrestuarit janë Çlirim Pepa, përgjegjës turni; Ervin Kodra, kontrollor për hyrje-daljet; Lirim Halili dhe Syrja Terziu, kontrollorë në kabinën e hyrjes.

Arrestimet kanë ardhur në vijim të hetimit për rastin e zbulimit të një kamioni maqedonas me 8 tonë kanabis sativa në Itali, në shkurt të këtij viti.

Në bazë të hetimit, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dalë në konkluzionin se efektivët e policisë kanë krijuar lehtësitë që ky kamion të kalonte pa u kontrolluar në Qafë Thanë, me destinacion Italinë fqinje.

Gjatë hetimeve ka rezultuar se kamioni i kapur me 8 tonë kanabis sativa në Itali, një muaj më parë ka patur si vend origjine Maqedoninë dhe ka kaluar tranzit në Shqipëri përmes pikës kufitare të Qafë-Thanës.

Kamioni me 8 tonë drogë ka hyrë në Shqipëri në datën 4 shkurt dhe pasi i është nënshtruar kontrollit është lënë i lirë. Një ditë më pas, në 5 shkurt, ai ka kaluar në pikën kufitare në Portin e Durrësit, ku është vënë në kontroll, por pa kaluar në skaner. Udhëtimi i mjetit, thotë Prokuroria, ka vijuar për në Itali me një traget të linjës Durrës-Ankona.

Në vijim të hetimeve, siç bën me dije, prokuroria, në pikën e kalimit kufitar në Qafë-Thanë, mjeti ka bërë 2 apo 3 ndalesa, ku drejtuesi i mjetit ka komunkuar me punonjës në zonën e kontrollit kufitar.

Në pikën e Qafë-Thanës, mjeti nuk është regjistruar në sistemin TIMS e më pas ka hyrë në territorin shqiptar. Regjistrimi i tij është bërë në Portin e Durrësit.

Në bazë të këtyre informacioneve, prokuroria i kërkoi Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në që të bëjë arrrestimin e Çlirim Pepës, që ka qenë përgjegjësi i turnit, Ervin Kodrës, kontrollor në hyrje dhe dalje dhe Lirim Halilit, me detyrë në kabinën e hyrjes. Personat në fjalë janë të dyshuar për veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike. /tch/

Exit mobile version