Telegrafi

Arrestohen 30 persona në rajonin e Pollogut, dyshohen për tregti dhe përdorim të lëndëve narkotike

Sektori për Punë të Brendshme Tetovë, gjatë këtij muaji i ka përforcuar aktivitetet e planifikuara, për zbulimin dhe sanksionimin ligjor, të personave që posedojnë ose lëshojnë në përdorim dhe janë përdorues të drogave narkotike në këtë zonë.

Nga SPB Tetovë thonë se vetëm gjatë javës së kaluar, për shkak të dyshimeve se kanë qenë të përfshirë në “prodhim të paautorizuar dhe lëshim në përdorim të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekusorëve” janë arrestuar 30 persona nga Tetova, Gostivari, fshatrat Pirok, Sllatinë, Çellopek, Kamnjan, Çegran, Reçan, Raven, Balindoll dhe vende tjera të zonës së Pollogut.

“Personat e arrestuar të moshës prej 15 deri 46 vjeçe, në të shumtën e rasteve kanë poseduar ose kanë qenë përdorues të marihuanës, heroinës dhe kokainës”, thuhet në njoftimin e SPB Tetovë.

Ata shtojnë se aktivitete e tilla do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme./Telegrafi/