Telegrafi

Arrestohen 11 persona që detyruan fëmijët të kërkojnë lëmoshë

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës – konkretisht, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore – përmes njësiteve të saja relevante ka realizuar planin operativ, ‘Identifikimi i fëmijëve lëmoshëkërkues, si viktima të trafikimit’, me ç’rast janë arrestuar 11 persona të dyshuar, për kryerjen e veprës penale ‘keqtrajtim apo braktisje e fëmijës’, si dhe janë identifikuar 36 fëmijë lëmoshëkërkues.

“Plani operativ është zbatuar në gjithë territorin e Kosovës, i cili përfshin periudhën kohore nga data 14.11.2016 deri me datën 18.11.2016. Në këtë plan operacional, përveç Policisë së Kosovës kanë qenë të përfshirë edhe prokuroritë në rajonet përkatëse, Qendra për Punë Sociale, Drejtoria për Migrim dhe të Huaj, si dhe njësitë tjera relevante policore”, thuhet në një komunikatë për media.

Fëmijët e identifikuar janë 23 shtetas të Kosovës e 13 të Shqipërisë. Shtetasit nga Shqipëria i janë dorëzuar njësisë përkatëse pranë Drejtorisë për Migrimi dhe te Huaj, që të vazhdojnë me veprime bazuar në Ligjin për te huaj, ndërsa për shtetasit e Kosovës, në konsultim me Prokuroritë përkatëse , janë iniciuar 12 raste për “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”, sipas nenit 250 të Kodit Penal të Kosovës, ndërsa janë dorëzuar Kallëzime penale kundër prindërve të fëmijëve lëmoshëkërkues në procedurë të rregullt. /Telegrafi/