Pas arrestimit të asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Besnik Mujeci nga Policia e Shtetit në Tiranë nën dyshimin për trafikim me lëndë narkotike, kryetari i Rinisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë, Trim Syla, ka mbajtur një aksion simbolik para selisë së Vetëvendosjes.
Syla para selisë së LVV-së ka dalë me një parullë në shenjë proteste në të cilën shkruan “Barazi, Drejtësi, Ekstazi”.
Ndryshe, një ditë më parë Policia e Shtetit në Tiranë arrestoi pesë persona për trafikim me lëndë narkotike, ndërkaq në mesin e të arrestuarve është edhe Besnik Mujeci, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë.
Policia e Shtetit në njoftimin zyrtar kishte bërë të ditur se ata janë kapur me 11 300 tabletash ekstazi MDMA, vlera e të cilës arrin 400 mijë euro.
“Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave të autobusëve Prishtinë-Tiranë. Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, ata transportoheshin me makina të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare”, thuhej në njoftim. /Telegrafi/