Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas arrestimit të kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili dyshohet për tri vepra penale.
Haradinaj, përmes një postimi të shkurtër në Facebook, ka thënë se ”kjo çfarë po ndodhë në KEK, është dëshmia më e mirë se lidhjet e shkurtëra janë korrupsioni më i keq!”.
Ndryshe, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës sot është arrestuar Nagip Krasniqi – kryeshef ekzekutiv i KEK-ut, nën dyshimin se i njëjti ka kryer tri vepra penale.
Në njoftimin e lëshuar Prokuroria Speciale thuhet se me urdhër të kësaj prokurorie “Policia e Kosovës, ka arrestuar një person me inicialet N.K. (Nagip Krasniqi) për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrta’’ nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK, “Ushtrimi i ndikimit’’ nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe veprën penale ‘Konflikti i interesit’’ nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”.
Me urdhër të prokurorit Krasniqi është dërguar në mbajtje prej 48 orësh.
Arrestimi i Krasniqit është bërë pasi hetuesë nga Departamenti i Krimeve Ekonomike nga Policia e Kosovës sot kanë bastisur zyrat e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
Lidhur me arrestimin e kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut ka reaguar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, duke thënë se duhet të deklarohet kryeministri Kurti për arrestimin e mikut dhe bashëpartiakut të tij, pasi sipas tij “sot e ka momentin të flasë për bojlera e filtera“ .
Krasniqi ka thënë se “arrestimi i sotëm i kryeshefit të KEK-ut, ish-drejtuesit të Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje, Nagip Krasniqi, është dëshmia më e mirë e asaj që e kemi thënë për muaj të tërë – se Qeveria Kurti, abuzimet më të mëdha i ka bërë pikërisht në sektorin e energjisë, përmes skemave korruptive dhe keqpërdorimit të pushtetit absolut që e kanë instaluar në këtë sektor”.
“Kryeministri Kurti duhet të deklarohet menjëherë për arrestimin e sotëm të mikut dhe bashkëpartiakut të tij, sepse sot e ka momentin të flasë për bojlera e filtera, që pretendonte se i kupton mirë e që sot po vërtetohet se në emër të tyre janë keqpërdorur miliona euro nga vartësit e tij”, ka shkruar Krasniqi në një postim në Facebook, përcjell Telegrafi.
Krasniqi tha se “Pas këtyre fakteve të reja, përkundër dëshmive që i kanë dhënë në Komisionin Hetimor Parlamentar, tani po vërtetohen edhe takimet sekrete që Kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi, i arrestuar sot, kishte muaj më parë me Ambasadorin Martin Berishaj dhe tregtarë të tjerë të energjisë në Zagreb”.
“Ftoj Prokurorinë e Kosovës dhe të gjitha organet përgjegjëse që me seriozitetin më të lartë ta procedojnë rastin e sotëm, dhe, një herë e mirë, të gjithë të përfshirët në këto skandale korruptive zinxhirore t’i nxjerrin para drejtësisë”.
Edhe anëtari i kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti ka reaguar për arrestimin e Nagip Krasniqit, duke thënë se “duket se KEK-u paska rrjedhur shumë. Nga Trusti Pensional, gjakderdhja financiare po vazhdon tash e tre muaj. Mashtruesit”. /Telegrafi/