Moska shpreson se gazetarja ruse Oksana Sazonova, e cila është ndaluar në Kosovë, do të lirohet sa më shpejt që të jetë e mundur, ka thënë Ministria e Jashtme ruse në një deklaratë sot, transmeton Telegrafi.
“Rusia është e shqetësuar në lidhje me paraburgimin e raportuar të gazetares ruse Oksana Sazonova dhe kolegun e saj, qytetarin e Ukrainës Sergei Belous, në Kosovë brenda natës së 16 shtatorit. Sipas të dhënave paraprake të disponueshme, Policia e Kosovës akuzojnë ata për kalim ilegal në vijën administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shkruhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme ruse, transmeton Sputniknews.
Ministria e Jashtme theksoi se “Ambasada ruse në Serbi dhe zyra e saj në Prishtinë janë duke bërë përpjekje të fuqishme përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe Misionin Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë për lirimin e menjëhershëm të gazetarëve”.
Moska pret nga organizatat ndërkombëtare që të japin të gjithë kontributin e nevojshëm për lirimin e gazetarëve të ndaluar, përfundohet në deklaratë. /Telegrafi/