Site icon Telegrafi

Arrestimi i Berishës dhe Metës, “Nisma Thurje”: Moment i artë për partitë e reja opozitare

Nisma Thurje nuk duket e shqetësuar nga fakti se krerët e dy partive më të mëdha opozitare në vend gjenden në kushtet e arrestit. Përkundrazi, Endrit Shabani duket i lumtur për mundësitë që i shfaqen.

“Ky është një moment i artë për opozitën shqiptare, për partitë e reja opozitare, po edhe për shoqërinë shqiptare që të riorganizohet, rimobilizohet, sepse ne jemi shumicë. Këto njerëz nuk duan hajdutë në krye që e kanë hallin te burgu vetë”, tha Shabani.

Pas publikimit të dosjes së Prokurorisë kundër Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, ku një prej akuzave ishte shpërblimi me vilë nga një biznesmen në këmbim të ndërhyrjeve ligjore në favor të tij, “Nisma Thurje” kërkon shfuqizimin e këtij ligji, shkruan A2.

“I bëjmë thirrje deputetëve që s’e kanë shitur as votën as dinjitetin, të paktën duan t’i heqin njollën këtij Kuvendi. Duhet anuluar ky ligj, por gjithashtu të anulohen dhe 5 ligje të tjera me porosi: ligji për lojërat e fatit, ligji për TVSH, ligji për teatrin dhe investimet strategjike”, u shpreh Shabani.

Shabani i cilësoi këto ligje si kapje të shtetit me anë të disa personave në Kuvend që punojnë kundër qytetarëve.

Exit mobile version