WikiLeaks ka akuzuar “aktorë të fuqishëm” duke përfshirë CIA-n për një përpjekje “të sofistikuar” për të dehumanizuar themeluesin e saj Julian Assange, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Pas arrestimit të 47-vjeçarit, organizata shkroi në Twitter: “Ky burrë është një bir, një baba, një vëlla dhe ka fituar dhjetëra çmime gazetarie”.
“Ai është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe çdo vit që nga viti 2010”.
“Aktorët e fuqishëm, duke përfshirë CIA-n, janë të angazhuar në një përpjekje të sofistikuar për dehumanizimin, delegjitimimin dhe burgosjen e tij. Mbrojeni Julianin”.
Themeluesi i WikiLeaks u nxor sot nga ambasada e Ekuadorit nga policia britanike pasi kaloi 2,487 ditë aty.
Ndërsa ai u nxor nga ndërtesa – i ndryshuar në pamje – ai duket se bërtiti “Mbretëria e Bashkuar nuk ka civilizim” dhe “Mbretëria e Bashkuar duhet të rezistojë”.
Assange u strehua në ambasadën e Ekuadorit në Londër në vitin 2012 për të shmangur ekstradimin në Suedi, ku autoritetet donin ta pyesnin atë si pjesë e një hetimi të sulmeve seksuale.
Ky hetim më vonë u rrëzua, por Assange frikësohet se ai mund të ekstradohet për t’u përballur me akuzat në SHBA, ku prokurorët federal po hetojnë Wikileaks. /Telegrafi/