Site icon Telegrafi

Arrestimi i 16-vjeçarit për terrorizëm në Pejë, ekspertët japin alarmin për sigurinë në shkolla

Një 16 vjeçar nga Peja ka përfunduar në masën e paraburgimit prej 30 ditësh, pasi i njëjti dyshohet se kishte planifikuar vrasjen e disa nxënësve.

Siç kishte njoftuar Prokuroria Speciale, i njëjti në një periudhë kohore për disa muaj, kishte bërë plane dhe ishte përgatitur për ndërmarrjen e sulmit.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se është ndaluar i pandehuri me inicialet B.M. për shkak se në periudhë kohore disamujore ka bërë plane dhe është përgatitur për ndërmarrjen e një sulmi të gjerë ndaj disa nxënësve të një shkolle në Pejë”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Por, ky nuk është rasti i vetëm, në shkollat e Kosovës shpesh-herë nxënësit janë përplasur fizikisht mes vete, e në disa raste ka pasur edhe therje me thikë.

Kjo situatë po vlerësohet si shqetësuese nga psikoterapeuti, Yll Avdijaj.

Avdijaj në një deklaratë të dhënë për Telegrafin ka thënë se rasti i 16-vjeçarit të arrestuar në Pejë, tregon së në shkolla nuk po punohet mjaftueshëm.

“Rasti i 16-vjeçarit të arrestuar në Pejë, është situatë mjaft shqetësuese pasi që kjo nxjerr në pah se në shkollat tona nuk po punohet mjaftueshëm me nxënësit sidomos në aspektin edukativ. Një pjesë të madhe të përgjegjësisë e mbajnë edhe prindërit derisa ata nuk interesohen aspak per gjendjen psiko-emocionale të fëmijëve të tyre”, është shprehur ai.

Psikoterapeuti, Yll Avdijaj

Sipas Avdijajt, nxënësit që janë të bullizuar kryesisht mendojnë për veprime të tilla.

“Bazuar edhe nga raste të tjera të ngjashme qoftë në rajon apo edhe në botë, rastet kur nxënësit përfundojnë me vendime apo edhe veprime të tilla, kryesisht janë fëmijë të bullizuar nga bashkëmoshatarët e tyre, deri në atë pikë ku mos-durimi mund të arrijë në një veprim fatal si kundërpërgjigje ndaj ngacmuesve”, tha ai.

Avdijaj tha se pikërisht këto raste bëjnë të kuptohet se sa e nevojshme është roli i psikologut në shkolla.

“Rastet e këtilla na bëjnë të kuptojmë se në shkollat tona është më se i nevojshëm roli i psikologut i cili do të ndihmonte në ngritjen e vetëdijes, ku nëpërmes orëve plotësuese do t’u mundësohej nxënësve që të zhvillohen në aspektin e ruajtjes së shëndetit mendor, krijimit të raporteve sociale, pranimit të njëri-tjetrit dhe bashkëveprimit ndërmjet nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve”, ka potencuar ai.

Gjithashtu, ai tha se duhet të bashkëpunohet edhe me institucionet e sigurisë për çdo rast të dyshimtë, që mund të shfaqet në shkolla, qoftë ajo dhunë, narkotikë, armëmbajtje apo edhe plane, ide apo tentativa për vrasje masive si në rastin konkret.

Ndërsa, eksperti i sigurisë, Avni Ismaili duke komentuar rastin e fundit të arrestimit të 16-vjeçarit në Pejë, deklaroi se institucionet e sigurisë duhet t’i kushtojnë rëndësi të veçantë sigurisë në shkolla.

“Shkollat në përgjithësi jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha vendet e botës, janë vende të ekspozuara të cilat janë të rrezikuara qoftë nga narkomanët, qoftë nga adoleshentët që përdorin armë, përdorin drogë, etj etj. Kështu që është e rëndësishme që institucionet e sigurisë t’i kushtojnë rëndësi të veçantë lidhur me sigurinë e shkollave”, pohoi ai.

Lexo po ashtu Prokuroria jep detaje për planin disa mujor që 16 vjeçari kishte përgatitur ta kryente në një shkollë në Pejë

Islami tha se edhe prindërit duhet të jenë të kujdesshëm dhe të shohin sjelljet e fëmijëve.

“Nuk është vetëm shkolla, duhet që nga familja, nga udhëheqësit e shkollave të jenë të kujdesshëm të përcjellin sjelljet e nxënësve. Në veçanti, edukatorët dhe psikologët në mënyrë që mos të vjen deri të ajo qysh kemi pasur rastin të shohim në Amerikë, Serbi e vende tjera, ku nxënësit planifikojnë të kryejnë akte kriminale apo të bëjnë vrasjen e nxënësve”, tha mes tjerash ai.

Edhe eksperti i sigurisë vlerësoi se bullizimi duhet të trajtohet të fëmijët, pasi që mund të ketë pasoja.

“Kjo vjen si pasojë e bullizimit të nxënësve kjo duhet të trajtohet në mënyrë të veçantë, që profesorët dhe arsimtarët të jenë të gatshëm që t’ua shpjegojnë dhe t’ua fiksojnë nxënësve tjerë që bullizimi mund të shkaktojë pasoja. Rasti i para disa ditëve është rast alarmues, që familjarët të jenë të kujdesshëm të mos i lënë nxënësit të vetmuar”, është shprehur ai.

Eksperti i sigurisë, Avni Islami

Islami pohoi se institucionet e sigurisë, policia dhe prokuroria kanë parandaluar një rast që ka mundur të ketë qenë një tragjedi e madhe.

“Ky është një alarm që të mobilizohen të gjitha institucionet, prej institucionit familjar, shkolla e të tjera, sepse parandalimi nuk lejon të shkaktohen tragjedi, siç kishte planifikuar djali në fjalë”, përfundoi ai.

Ndryshe, 16-vjeçari që u arrestua para disa ditësh është dërguar në masën e paraburgimit prej 30 ditësh, vendimi është marrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Prokuroria Speciale, ka njoftuar se i dyshuari B.M për disa muaj kishte bërë plane për ndërmarrjen e një sulmi të gjerë ndaj nxënësve të një shkolle në Pejë.

Prokuroria Speciale shton se me këto veprime i pandehuri B.M. kishte për të kryer veprën penale ‘’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së
Republikës së Kosovës’’, nga neni 138 lidhur me nenin 129 të Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Lidhur me rastin ka reaguar edhe avokati i të dyshuarit.

Avokati, Gëzim Kollçaku në një prononcim për Telegrafin kishte thënë se klienti i tij nuk ka pasur asnjë armë, duke hedhur poshtë pretendimet e prokurorisë se ai kishte planifikuar vrasje në shkollë. /Telegrafi/

Exit mobile version