Drejtori ekzekutiv i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj, është deklaruar lidhur me arrestimin e 12 zyrtarëve të këtij institucioni, nën dyshimin për mashtrim me fatura fiktive në vlerë prej 18 milionë euro.
Në një konferencë për media, Murtezaj ka thënë se si rezultat i arrestimit të tyre, është parandaluar dëmtimi i buxhetit të shtetit për 2. 7 milionë euro.
Ai ka treguar se si zyrtarët e ATK-së kanë arritur që të zbulojnë se faturat e tri bizneseve ishin fiktive.
“Rasti ka filluar që nga viti 2020, ku pas paraqitjes së kërkesës për rimbursim nga ana e tatimi paguesit dyshimet e zyrtarit të ATK-së ishin se kreditimi i TVSH-së krijuar nga disa fatura nga ana e tri bizneseve ishin fiktive. Zyrtarët hetues të ATK-së rastin e kanë ngritur edhe te organet e rendit, pra Prokuroria e Shtetit”.
“Rasti është ngritur si rast i dyshimtë për hetim nga ATK-ja, ku me datën 03.07.2020 është iniciuar rasti tek Prokuroria Themelore në Prishtinë. Me datë 27.04.2021 kallëzimi penal është dorëzuar në Prokurorinë Themelore të Prishtinës”.
“Si rezultat i veprimeve me kohë të zyrtarëve të ATK-së, është arritur që të parandalohet dëmtimi i buxhetit të shtetit në vlerë prej 2.7 milionë euro. Pas një kohe të gjatë të hetimeve, prokuroria ka ardhur në përfundim për ngritje të aktakuzës për 13 zyrtarë të ATK-së dhe përfaqësuesve të bizneseve të involvuar në këtë rast”, ka deklaruar Murtezaj.
I pari i ATK-së ka theksuar se menaxhmenti i këtij institucioni vazhdimisht bën përpjekje që të ketë llogaridhënie sa i përket stafit, me qëllim të zbatimit të drejt të ligjit për të gjithë tatimpaguesit.
Të njëjtit janë arrestuar gjatë një aksioni të zhvilluar të martën në disa lokacione nga Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë e Prishtinës.
Zyrtarët e arrestuar janë: Masar Zejnullahu, Nesim Bajrami, Safet Temaj, Avdi Jakupi, Muhamet Rafuna, Murtez Zeqiri, Milaim Berisha, Gazmend Gjocaj, Adil Paqarizi, Vllaznim Krasniqi, Agim Rama e Xhemajl Hertica.
Këta zyrtarë dyshohet se kishin pranuar 23 fatura fiktive nga F.P., një biznesmen nga Prizreni, i cili kishte aplikuar për rimbursim nga TVSH.
Faturat kishin vlerë 18 milionë euro, ndërsa rimbursimi do të kapte vlerën 2,7 milionë euro. /Telegrafi/