Prokuroria Themelore e Pejës ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme janë arrestuar gjashtë persona të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Prokurorja e rastit Valbona Disha – Haxhosaj, ka thënë për Telegrafin se deri te arrestimet arritën falë bashkëpunimit të Departamentit për Krime të Rënda me drejtoritë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsion në Prishtinë.
Sipas Disha-Haxhosaj u deshën rreth një vit deri tek përfundimi i këtij aksioni, i cili rezultoi me disa zyrtarë të arrestuar në Qendrën për patent shoferë në këtë qytet.
“Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda në bashkëpunim me drejtoritë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsion në Prishtinë, pas hetimeve pothuajse një vjeçare sot kemi ndërmarrë një aksion që ka të bëjë me patent shoferët me Njësinë për patent shoferë në Pejë. Aksioni është zhvilluar në Pejë, në Deçan, Fushë Kosovë dhe në Prishtinë dhe janë arrestuar gjashtë persona”, ka thënë Disha-Haxhosaj
Ajo ka thënë se gjatë operacionit disa të dyshuar nuk janë gjendur në adresat e tyre. Ndërsa një person është liruar, sipas prokurores, për shkaqe shëndetësore.
“Një person është liruar për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore dhe tre persona të tjerë nuk janë hasur në shtëpi. Sipas familjarëve të tyre, ata janë në pushime”, është shprehur prokurorja Disha-Haxhosaj.
Gjashtë personat e arrestuar dyshohen për vepra penale keqpërdorim i pozitës apo i autoritetit zyrtarë, legalizimi i përmbajtjes së rremë dhe ryshfeti. /Telegrafi/