Shkëlzen Berisha ka reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për vendosjen e masës së sigurisë ‘arrest shtëpie’ për të atin Sali Berisha.
Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, Berisha tha se arrestimi dhe izolimi i liderit të opozitës është kartolina e Edi Ramës për vitin e ri.
“Kartolina e Ramës për Vitin e Ri është arrestimi dhe izolimi i liderit të opozitës”, ka shkruar Shkëlzen Berisha.
Sali Berisha do të vendoset në ‘arrest shtëpie’ dhe nën mbikëqyrje policore, ka vendosur sot Gjykata e Posaçme.
Ndaj ish-kryeministrit kjo masë u mor sot nga GJKKO pas moszbatimit nga ana e tij të vendimit po të kësaj gjykate për ‘detyrim paraqitje’.
Berisha do të jetë i detyruar të qëndrojë në shtëpi dhe të mos ketë komunikim me asnjë person tjetër që nuk jeton me të, ndërsa zbatimi i masës do të jetë dhe nën mbikqyrje policore.
Ish-kryeministri dhe lideri i demokratëve akuzohet për korrupsion pasiv pasi po hetohet për çështjen e kompleksit Partizani, çështje për të cilën u prangos dhe u lirua më pas në masë ‘arrest shtëpie’ dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. /EuronewsAlbania/