Telegrafi

Arrest shtëpiak për Saimir Tahirin

Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur sot masën e ndalimit “arrest shtëpie” për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Mësohet se Prokuroria ka kërkuar “arrest me burg” për ish-ministrin, i cili vetëm pak ditë më parë la mandatin e deputetit.

Tahiri dyshohet për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

Ai ishte një ndër ministrat kryesorë të qeverisë së kryeministrit Edi Rama, ndërsa akuzat ndaj tij janë përcjellur me reagime të ashpra në Shqipëri.

Së pari pretendimet për veprat që lidhen me drogën i kishte bërë të ditura prokuroria e Italisë, pasi operacioni për kushërinjtë e Tahirit që merreshin me trafik droge shtrihej përtej kufijve të Shqipërisë.