Site icon Telegrafi

Arrest shtëpiak ndaj katër personave të dyshuar për transplantim dhe trafikim të organeve

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve V.K, A.K, I.ZH, dhe S.M për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale, Transplantim i kundërligjshëm dhe trafikimi i organeve dhe qelizave njerëzore nga neni 265 par. 5, par. 6 dhe par. 7 lidhur me nenin 31 të KPRK-së lidhur me nenin 40 par. 1 të KPRK-së, ashtu që në bashkëpunim dhe në vazhdimësi me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, pa autorizim, pa arsye mjekësore dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm në Kosovë – Ligjin për Transplantimin e Indeve dhe Qelizave Njerëzore (Ligji nr.04/L-193, neni 4, pika 4, neni 7, pika 2 dhe 4 që rregullon këtë fushë), Ligji për Shëndetin riprodhues ( Ligji nr. 02/L-76, neni 23) dhe Ligji për shëndetësi (Ligji nr.2004/4, neni 46).

“Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurve V.K, A.K, I.ZH, dhe S.M iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji për secilin veç e veç.Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit në Klinikën Amerikane “Dr. Behar Kusari” si person juridik, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Transplantim i kundërligjshëm dhe trafikimi i organeve dhe qelizave njerëzore nga neni 265 par. 5, par. 6 dhe par. 7 lidhur me nenin 31 të KPRK-së lidhur me nenin 40 par. 1 të KPRK-së, ashtu që në bashkëpunim dhe në vazhdimësi me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, pa autorizim, pa arsye mjekësore dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm në Kosovë – Ligjin për Transplantimin e Indeve dhe Qelizave Njerëzore, Ligji për Shëndetin riprodhues dhe Ligji për shëndetësi kanë bërë shitblerjen e organeve dhe qelizave vezore”, thuhet në njoftimin për media.

Gjykata ka konstatuar se nuk ekzistojnë baza tjera të veçanta në të cilat është thirrur Prokuroria me rastin e përpilimit të kërkesës për caktim të paraburgimit dhe atë pika 1.2.1 të KPPK-së, meqenëse të pandehurve iu dihet identiteti, vendbanimi, janë familjarë dhe nuk ka asnjë rrezik të ikjes së tyre,pra nuk përmbushet kushti nga 183 par.1 nënpar. 1.1. dhe 1.2. lidhur me nenin 187 par.1.2.1 të KPPK-së.

Prandaj Gjykata ka ardhur në përfundim se masa e arrestit shtëpiak është masë e mjaftueshme dhe adekuate për sigurimin e prezencës të të pandehurve pranë organeve të Prokurorisë dhe Gjykatës në këtë fazë të procedurës penale.Po ashtu, Gjykata ka konstatuar se në rastin konkret plotësohen kushtet ligjore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak duke u bazuar në mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, pesha e rëndë e veprës penale tregojnë rrezikun se mund të vie deri te përsëritja e veprës penale dhe nëse të pandehurit ndodhen në liri të plotë paraqesin rrezik potencial se mund të ndikojnë në rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë dhe në dëmtimin, zhdukjen dhe asgjësimin e provave konkrete. Palët kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version