Telegrafi

Arrest për 15 protestues në Hong Kong që kishin shënjestër qendrat tregtare në zonat kufitare, sulmonin blerësit dhe turistët kinezë

Forcat e rendit në Hong Kong i kanë arrestuar 15 protestues, të cilët në protestat e fundit i kanë pasur shënjestër, qendrat tregtare që ndodhen në zonat kufitare.

Trazirat e fundit, nisën pas disa ditësh qetësie, kur protestuesit dolën në rrugë dhe për tri ditë me radhë i sulmonin blerësit dhe turistët kinezë, ndërsa qëndronin në pjesët ku ka më së shumti biznese, transmeton Telegrafi.

Protesta në Sheung Shui, afër kufirit të Hong Kongut me pjesën tjetër të shtetit, ishte pjesë e përpjekjeve për të bërë presion ndaj qeverisë, për të ndaluar aktivitetin ekonomik.

Rreth 100 protestues kanë arritur të hynë nëpër qendra tregtare, ku protestonin me mbishkrimet ku kërkonin lirinë e Hong Kongut.

Mirëpo, protesta e tyre është ndaluar nga forcat e rendit që arritën t’i arrestojnë 15 prej tyre, përfshirë edhe një adoleshente 14-vjeçare.

Në mënyrë që të shpërndajnë protestuesit, është hedhur sprei me piper, si dhe u përdor dhunë e konsiderueshme, derisa arritën t’i ndalonin. /Telegrafi/