Ish-pjesëtari i Ushtrisë së Jugosllavisë, Rajko Kozllina, i cili nuk është paraqitur për mbajtjen e dënimit me burg për krimin ndaj civilëve shqiptarë në fshatin Tërnje në Kosovë, në vitin 1999 dhe i cili, sipas pretendimeve të medieve, ka ikur nga Serbia, ka qenë pjesëtar aktiv i Ushtrisë së Serbisë edhe pasi që i ishte shqiptuar dënimi.
Kjo buron nga përgjigja që Radio Evropa e Lirë ka marrë nga Gjykata e Lartë në Beograd, e cila dënoi Kozllinan me 15 vjet burgim, në prill të vitit 2019, për vrasjen e 15 dhe plagosjen e dy civilëve shqiptarë në fshatin Tërnje të Suharekës.
“I akuzuari Rajko Kozllina, në mënyrë të rregullt e ka marrë vendimin e shkallës së parë, më 1 gusht 2019, përmes komandës kompetente të Ushtrisë së Serbisë, në të cilën ai është i punësuar. Edhe aktgjykimi i shkallës së dytë iu dha atij gjithashtu përmes komandës së ushtrisë, në bazë të nenit 244, paragrafi 4, të Kodit të Procedurës Penale më 28.1.2020 ”, ka deklaruar Gjykata e Lartë.
Në paragrafin 4 të nenit 244 të Kodit të Procedurës Penale thuhet që “nëse marrësi refuzon të nënshkruajë certifikatën e dorëzimit, dorëzuesi do ta regjistrojë këtë në certifikatë dhe do të shënojë ditën e dorëzimit, me çka edhe kryhet procedura e dorëzimit”.
Pas kësaj, Kozllina nuk u paraqit për të vuajtur dënimin e tij, ndërkaq që Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk i është përgjigjur pyetjes së përsëritur të Radios Evropa e Lirë, nëse është e vërtetë që ai u largua nga Serbia e as për atë se si ka ndodhur kjo.
Përgjigje nuk ka pasur as nga Ministria e Mbrojtjes e Serbisë në pyetjen e Radios Evropa e Lirë lidhur me statusin aktual të Rajko Kozllinas në Ushtrinë e Serbisë.
Në pyetjen se a kanë informacione nga policia dhe se a do të kërkojnë shpallje të fletarrestimit ndërkombëtar për Kozllinan, Ministria e Drejtësisë e Serbisë ka heshtur.
Çfarë thonë në gjykatë?
Një ditë para shpalljes së aktvendimit për Kozllinan, më 15 prill 2019, në Gjykatën e Lartë në Beograd kishte arritur një shkresë nga Ministria e Mbrojtjes – Agjencia ushtarake e Sigurisë, e cila i ishte drejtuar Prokurorisë për krime të luftës.
Duke mos treguar se çfarë përmbante shkresa, Gjykata e Lartë i ka thënë Radios Evropa e Lirë që shkresa “menjëherë i është proceduar Prokurorisë për krime të luftës” dhe “marrë parasysh përmbajtjen e saj, është kërkuar sqarim nga zëvendësprokurori lidhur me masat e sigurimit të pranisë së të akuzuarit dhe zhvillim të papenguar të procedurës”.
Në të njëjtën ditë, Gjykata e Lartë, siç deklaron më tej, urdhëroi policinë të konfiskonte pasaportën e Kozllinas dhe t’ia ndalonte atij përdorimin e letërnjoftimit si dokument udhëtimi.
Rajko Kozllina, një ditë më vonë, më 16 prill 2019, u paraqit në sallën e gjyqit të Gjykatës së Lartë në Beograd dhe, së bashku me ish-anëtarin e dytë të akuzuar të Ushtrisë Jugosllave, Pavlle Gavrilloviq, mohuan fajin për krimin kundër civilëve shqiptarë në Tërnje.
Gavrilloviq, i cili u akuzua se kishte urdhëruar sulmin në Tërnje, u shpall i pafajshëm, ndërsa Kozllina u dënua me 15 vjet burgim.
Gjykata e Lartë deklaroi se “në këtë seancë, zëvendësprokurori i përkohshëm për krimet e luftës, nuk propozoi që i akuzuari Kozllina të mbahej në paraburgim”.
Kur dhe si ka ikur Kozllina?
Siç ka theksuar Gjykata e Lartë, policia ia ka dorëzuar gjykatës më 8 maj 2019, vendimin me të cilin Rajko Kozllinas i ndalohet përdorimi i letërnjoftimit. Nga përgjigja e Gjykatës së Lartë për Radion Evropa e Lirë, del që vendimi se i është marrë pasaporta dhe i është ndaluar përdorimi i letërnjoftimit si dokument për udhëtim, nga policia deri në gjykatë ka arritur 6 muaj më vonë, më 1 nëntor 2019.
Avokati i Rajko Kozllinas, Nikolla Hanzhek, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se me klientin e tij është dëgjuar për herë të fundit në dhjetor të vitit 2019.
“Kam provuar më vonë që ta kontaktoj dhe thjesht nuk kam kurrfarë informatash për të”, ka thënë Hanzhek.
As nga policia nuk ka informacion rreth vendndodhjes së Rajko Kozllinas. Rrjeti Ballkanik i Raportimit Hulumtues (BIRN) njoftoi më 29 tetor se Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë kishte refuzuar kërkesën e tij për qasje të lirë në informacione me rëndësi publike në lidhje me këtë rast.
Policia mbron të drejtat e të dënuarit
E pyetur nga BIRN-i “nëse Kozllina ka përdorur vendkalimin kufitar zyrtar për të ikur nga vendi, marrë parasysh që ai nuk u paraqit për të vuajtur dënimin e tij me burgim”, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë u përgjigj “se sigurimi i këtij informacioni do të shkelte të drejtën e privatësisë së personit” dhe që “ nuk ekziston interesi publik për dhënien e kësaj informate”.
Gjykata e Lartë e ka kryer punën e saj në këtë rast. Aktvendimi kundër Kozllinas, në muajin shkurt të këtij viti, i është dorëzuar Gjykatës së dytë Themelore në Beograd, e cila, siç është thënë, është kompetente për zbatimin e tij.
“Pas kësaj, Gjykata e Lartë në Beograd më nuk ka kompetencë funksionale për procedim në këtë lëndë”, kanë theksuar nga kjo gjykatë.
Gjykata e dytë Themelore nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë se a kanë vazhduan apo në çfarë mënyre vepruar, në çështjen e Rajko Kozllinas.
Ushtria Serbe, kompetente për Kozllinan
Megjithëse Kozllinas iu dha aktvendimi përmes komandës së Ushtrisë Serbe, si punonjës i saj, Ministria e Mbrojtjes nuk u përgjigjet pyetjeve pse Rajko Kozllina mbeti një anëtar aktiv i ushtrisë edhe pasi u dënua për krime lufte kundër popullatës civile, si dhe nëse ai ka ikur për shkak të dënimit.
Për dallim nga i akuzuari i dytë, Pavlle Gavrilloviq, i cili pas fillimit të gjyqit u pensionua si oficer i Ushtrisë së Serbisë, Rajko Kozllina, gjatë kohës së procedurës, kishte gradën e nënoficerit. Ushtria kishte detyrim për të edhe gjatë gjykimit që zgjati gjashtë vjet.
A ishte shqyrtuar paraburgimi?
Në pyetjen e Radios Evropa e Lirë se pse Kozllina nuk ka qenë në paraburgim, nga Gjykata e Lartë kanë theksuar që gjatë procedurës penale “nuk ishin përmbushur kushtet ligjore për një gjë të tillë, marrë parasysh që i akuzuari e kishte të paraqitur vendbanimin e rregullt në territorin e Beogradit, si dhe vendbanimin ku jeton me bashkëshorten dhe fëmijën e tij të mitur”.
Nga gjykata, gjithashtu, kanë theksuar që Kozllina “ishte i qasshëm për gjykatën edhe përmes Komandës së Ushtrisë të Serbisë dhe se çdo mungesë e tij në shqyrtimin gjyqësor e ka arsyetuar duke paraqitur dokumentacionin mjekësor dhe se që nga fillimi i procedimit penal deri në përfundimin e vendimit të plotfuqishëm ndaj tij, ai në asnjë moment nuk është fshehur, nuk ishte arratisur dhe nuk i ishte shmangur shqyrtimit gjyqësor “.
Prokuroria ka kërkuar dy herë paraburgim
Që në vitin 2013, Prokuroria për krime të luftës e Serbisë kishte ngritur padi kundër anëtarëve të Brigadës 549 të motorizuar të Ushtrisë së Jugosllavisë, Pavlle Gavrilloviq dhe Rajko Kozllina, për krime në Tërnje të Kosovës.
Në të njëjtin vit, gjykatës i ishte propozuar që Kozllina të mbahej në paraburgim, kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë nga Prokuroria, duke shtuar se gjykata e hodhi poshtë propozimin. Megjithatë, ata nuk iu përgjigjën pyetjes nëse paraburgimi ishte propozuar për shkak të rrezikut të arratisjes së të akuzuarit.
Kjo përgjigje ka ardhur nga Gjykata e Lartë. Kërkesën për caktimin e paraburgimit e kishte paraqitur Prokuroria, për shkak të rrezikut të ndikimit ndaj dëshmitarëve dhe jo për shkak të rrezikut të arratisjes, thanë për Radion Evropa e Lirë nga Gjykata e Lartë, e cila konfirmoi se propozimi ishte refuzuar si i pabazuar.
Paraqitja në policinë ushtarake, si masë
Në vend të kësaj, në qershor të vitit 2013, gjykata caktoi masën për t’u paraqitur në Policinë Ushtarake dhe ndalimin e afrimit, takimit dhe komunikimit me dëshmitarët. Kjo masë, siç kanë thënë nga gjykata, ka qenë në fuqi deri në prill të vitit 2018, kur “Prokuroria e ka dhënë mendimin e saj se për këtë masë më nuk ekzistojnë arsye, marrë parasysh se të gjithë dëshmitarët e propozuar ishin marrë në pyetje”.
Herën e dytë, Prokuroria kishte propozuar paraburgimin e Kozllinas në prill të vitit 2016, kur i akuzuari nuk ishte paraqitur në shqyrtimin kryesor gjyqësor. Gjykata e kishte refuzuar edhe atëherë këtë propozim, sepse, siç kanë theksuar, avokati i Rajko Kozllinas kishte dorëzuar dokumentacionin mjekësor, i cili e arsyetonte mungesën e tij.
Bëhet fjalë për gjetjet e mjekëve specialistë të Akademisë Mjekësore Ushtarake në Beograd (VMA), nga të cilat, siç thanë nga gjykata, “u vërtetua që i akuzuari ishte dërguar për trajtim mjekësor në VMA, për shkak të problemeve kardiake dhe të tretjes”.
Gjykata e Lartë shtoi se “gjykata kontrolloi vlefshmërinë e arsyeve për mungesën e të akuzuarit, duke përcaktuar ekspertizën” e gjendjes së tij shëndetësore.
Institucionet ushtarake justifikuan mungesat
Procesi kundër Kozllinas dhe të akuzuarit të dytë Pavlle Gavrilloviq u karakterizua me vonesat e shpeshta dhe mungesat e tyre për shkak të sëmundjeve.
Gjatë gjykimit, kryetarja e trupit gjykues Mirjana Illiq, gjithashtu, shprehu dyshimin se ata me qëllim iu shmangën seancave. Në mars të vitit 2019, ajo tha në sallën e gjyqit se Kozllina dhe Gavrilloviq shpeshherë, para seancës, u referohen problemeve shëndetësore, por nga të cilat po shërohen pas seancës.
“Kjo ngre dyshime serioze se diçka krejt tjetër po ndodh”, tha Illiç në gjykatë.
Shmangien e seancave gjatë procesit gjyqësor e ka vënë në dukje edhe organizata joqeveritare, Fondi për të Drejtën Humanitare, që përcjellë gjykimet për krimet e luftës në Serbi.
Akademia Mjekësore Ushtarake mohoi që institucionet shëndetësore të ushtrisë ia mundësuan Gavrilloviqit dhe dhe Kozllinas shmangien nga seancat gjyqësore.
“Ata janë ushtarë dhe nuk jam i befasuar që institucionet heshtin. Ky është një betim për heshtje dhe mënyrë me të cilën të vazhdojnë t’i mbrojnë ata. Mesazhi është se shteti do të qëndrojë gjithmonë pas tyre”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, më 30 tetor, Ivana Zhaniq nga Fondi për të Drejtën Humanitare.
Gavrilloviq dhe Kozllina janë akuzuar se kanë dhënë urdhër ose kanë vrarë të paktën 27 civilë në Tërnje, në vitin 1999. Viktimat ishin burra, gra dhe fëmijë, ndërsa fëmija më i ri në moshë ishte 4 vjeç. Pasi që ishin vrarë, dyshohet që trupat e tyre i kanë marrë pjesëtarët e forcave ushtarake serbe në mënyrë që t’i fshihnin në varrezë masive.
“Nga Serbia mund të pres gjithçka. Vetë i ka bërë krimet dhe vetë i ka gjykuar”, ka thënë Bekim Gashi për Radion Evropa e Lirë, më 30 tetor, duke komentuar lajmin se i dënuari për krimin në Tërnje ka ikur nga dënimi. Ai në masakrën në Tërnje ka humbur 22 anëtarë të familjes.
Gashi ishte dëshmitar në gjykimin e Kozllinas dhe Gavrilloviqit në Beograd. Ditën që ndodhi krimi, më 25 mars 1999, ai arriti të fshihej në nën-kulmin e shtëpisë, ku kaloi dy ditë. Ai pa familjen e tij duke u vrarë dhe trupat e nënës dhe motrave të tij nuk i gjeti kurrë. /rel/Telegrafi/