Site icon Telegrafi

I arratisuri nga QKUK është i akuzuari për tentim-vrasje ndaj menaxherit të “ON Records”, Met Elshani

Fotomontazh: QKUK/RidvanSlivova/Telegrafi & Met Elshani/Instagram

Shërbimi Korrektues i Kosovës njoftoi se të premten rreth orës 04:30, është arratisur nga Klinika Ortopedike e QKUK-së, një i paraburgosur.

Bëhet fjalë për shtetasin kosovar A.K (emër i njohur për redaksinë), i cili është i akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë, ndaj menaxherit të labelit “ON Records”, Mehmet Elshanit.

Lexo po ashtu Arratiset një i burgosur nga QKUK-ja

Lajmin në fjalë e ka konfirmuar për Telegrafin edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë treguar edhe se janë arrestuar dy zyrtarë policorë mbikëqyrës të të arratisurit.

“A.K. mashkull, 23 vjeçar, Shtetas i Republikës së Kosovës, për Veprën Penale, ‘Vrasje e mbetur në tentativë’. I dyshuari ka qenë nën masën e paraburgimit dhe për sigurinë e tij ishin përgjegjës zyrtarët e Shërbimit Korrektues të Kosovës. Bazuar në rrethanat, në të cilat ka ndodhë rasti , nga policia janë arrestuar dy persona : F. Sh. mashkull, 53 vjeçar Shtetas i Republikës se Kosovës dhe R. Z. mashkull, 42 vjeçar Shtetas i Republikës se Kosovës, të cilët pas intervistimit, me Urdhër të Prokurorit, janë ndaluar dhe dërguar në qendrën e mbajtjes, nën dyshimit se kanë kryer veprën Penale ‘mundësimi i arratisjes së personave të privuar nga liria sanksionuar nga neni 398 i KPK-së”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Telegrafi ka kontaktuar për rastin edhe zyrën për informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), të cilët kanë thënë se përgjegjësia për rastin l takon sigurimit.

Lexo po ashtu Suspendohen dy zyrtarë policor pas arratisjes së të burgosurit nga QKUK

“QKUK ju njofton se Shërbimi Korrektues i ka punëtorët e sigurimit ( gardianët) që kujdesen për sigurinë e të burgosurve, edhe pse janë shtrirë në QKUK. Pra, është përgjegjësi e gardianëve të ruajnë të burgosurit që janë të shtrirë në klinikat e QKUK-së. Sa i përket dhomave të sigurta, është formuar një komisioni me përfaqësues nga QKUK, Shërbimi Korrektuese dhe përfaqësues nga Departamenti Shëndetësor i Burgjeve që vepron në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, e që pritet të bëjnë zgjidhje”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të QKUK-së.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës – QKUK (Foto: Ridvan Slivova/Telegraf)

Met Elshani përndryshe u plagos një javë më parë në Prishtinë, në një përleshje të ndodhur në lagjen “Dardania” – ngjarje kjo nga e cila Policia e Kosovës mori në mbajtje katër persona, një prej të cilëve ishte edhe A.K. i shtruar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version