Site icon Telegrafi

Arratisja nga burgu i Shënkollit, dalin detaje nga hetimet

Arratisja e 49-vjeçarit Daut Laze nga burgu i Shënkollit në Lezhë, ka çuar në pranga tre punonjës të këtij institucioni ndërsa nga këqyrja paraprake e kamerave të sigurisë nuk rezulton që 49-vjeçari të jetë ndihmuar nga persona të tjerë brenda burgut.

Ai ka shfrytëzuar momentet kur ka qenë në sektorin e trajtimit mjekësor dhe nuk ka pasur staf të burgut pranë tij duke dalë jashtë në ajrim. Atje ka marrë një llamarinë dhe duke e mbështetur te muri mbi 4 metra të lartë, është ngjitur nëpërmjet llamarinës dhe ka kapërcyer murin. Më pas ka kaluar edhe rrjetën rrethuese dhe është larguar me vrap në arat fushore pranë burgut të Shën Kollit.

Në përfundim të veprimeve të kryera dhe analizimit të situatës, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka arrestuar punonjësit Gjin Ndoka, punonjës shërbimi në kupole, Mark Nikolli punonjës ne sektor (grup sigurie) dhe Zhaneta Mella (operatore kamerash). Kjo e fundit është shtruar në spitalin rajonal të Lezhës, pasi pas ndalimit ka shfaqur probleme shëndetësore.

Policia vijon kontrollet për kapjen e 49-vjeçarit, kontrolle të cilat janë fokusuar në zonën pranë burgut të Shën Kollit, në Lezhë, Tiranë, Çorovodë, por edhe në qytete të tjera.

Kontrollet vijojnë në mënyrë intensive nga policia për shkak të rrezikshmërisë së 49-vjeçarit dhe çrregullimeve të shëndetit mendor që ai ka.

Exit mobile version