Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, të martën priti në takim Arqipeshkvin e Selisë së Shenjtë, Monsinjor Vincenzo Paglia, të cilin e falënderoi për përkrahjen e Kosovës në etapa të ndryshme, duke veçuar mbështetjen dhe marrëdhëniet që të dyja vendet kanë vendosur dekada më parë.
Duke e njoftuar për proceset aktuale dhe progresin në Kosovë, kryeministri Mustafa, shprehu përkushtimin për thellimin e marrëdhënieve bilaterale me Selinë e Shenjtë, duke kërkuar përkrahjen e Arqipeshkvit Paglia, në këtë drejtim.
Nga ana e tij, Arqipeshkvi i Selisë së Shenjtë, Monsinjor Vincenzo Paglia, u shpreh i lumtur me këtë vizitë në Kosovë, duke vlerësuar të arriturat e deritashme.
Duke folur për proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova, Arqipeshkvi Paglia, shprehu përkrahje të mëtejshme për Kosovën.
Gjatë takimit, u bisedua edhe për tolerancën tradicionale ndërfetare në Kosovë dhe për përkushtimin në avancimin e mirëqenies, shëndetit dhe kualitetit të jetës së të gjithë qytetarëve të Kosovës. /Telegrafi/