Tre deputetët e OBRM-PDUKM-së të cilët janë të akuzuar për ngjarjet e 27 prillit dhe të cilët votuan “pro” ndryshimeve kushtetuese të premten, Ljuben Arnaudov, Sasho Vasilevski dhe Krsto Mukoski, sot janë paraqitur në seancën gjyqësore për ngjarjet e përgjakshme.
Sasho Vasilevski nuk deshi të komentojë para gazetarëve, ndërsa Ljuben Arnaudov para se të fillojë seanca gjyqësore tha se askush nuk e ka paguar për të votuar “pro” ndryshimeve kushtetuese dhe se nuk ka pasur asnjë kërcënim, përcjell Telegrafi Maqedoni.
I pyetur se pse janë nën mbikëqyrjen policore, Arnaudov tha se është për shkak të detyrës zyrtare dhe se për këtë duhet të pyeten ata që kanë dhënë urdhër.
Ai shtoi se në gjykatë do të dëshmojnë se janë të pafajshëm për ngjarjet e 27 prillit, ndërsa ju bëri thirrje gazetarëve që me kujdes të lexojnë komunikatën që më herët e lëshuan deputetët e OBRM-PDUKM-së që votuan “pro”.
Përndryshe, për ngjarjet e përgjakshme të 27 prillit Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj 33 personave./Telegrafi/,