Site icon Telegrafi

Armiku im je ti!

Ka shpërthyer një pseudo-diskutim e një reagim publik mesjetar, në Kosovën e varfër për homofilët. Për këtë grup të njerëzimit e për këta pjesëtarë të shoqërisë sonë, nga media e nga heshtja djallëzore publike po ndërtohet “kampi i Aushficit”.

Është përbuzës ky diskutim që po i bëhet këtyre njerëzve të kombit tonë. I jologjikshëm është reagimi negativ i masave. Më i pakuptueshëm dhe më përjashtues është heshtja e intelektualëve dhe heshtja e medias shqipe.

Fotografia që po ndërtohet nga mendja shqipe për homofilët, pra për qytetarët e Kosovës, është e dëmshme, është e pakuptueshme e kërcënuese dhe gjithsesi me pasoja të rrezikshme për këtë grup të njerëzve. Këta njerëz po diskriminohen, po linçohen e po izolohen nga rrethi e nga shoqëria. Për diçka që është normale dhe jo e dëmshme për rrethin e për shtetin, këta po sulmohen!

Pse paragjykohet ky grup i njerëzve tanë? Pse paraqitja e tyre në publik shitet si e dëmshme dhe e rrezikshme për shoqërinë e për kombin? Përse homofilët futen në grupin e “dreqit” e të kriminelit?

Përkeqja, dëmi, rreziku dhe kërcënimi i shoqërisë sonë vjen nga krimi i organizuar, e jo nga homofilia. Varfëria kolektive vjen si shkak sepse politikanët vodhën e po vjedhin “me të madhe” nga buxheti i shtetit; ministrat plaçkitën nga arka e qytetarit, e varfëruan atë.

Nuk u varfëruan shqiptarët për shkakun e disa qindra njerëzve që mendojnë e veprojnë ndryshe nga ne si shumicë. Nuk e përkeqëson shoqërinë tonë ai hemofili i cili paguan taksat me rregull, ata që studiojnë dhe ushtrojnë detyrën me nderë si mjek/mjeke, si profesor/profesoreshë, si inxhinier/inxhiniere, si politikan/politikane, apo si bujk e si punëtor/punëtore. Janë njerëzit delikuent e ata “normal” që po e amoralizojnë hapësirën dhe jetën tonë.

Është e rrezikshme për kombin dhe e dëmshme për shëndetin tonë psikik klasa e korruptuar politike, e jo grupi i ndershëm, punëtor, i sinqertë e i rregullt homofil.

Ky grup po diskriminohet në arsim, në shëndetësi, në shkolla e në institucione. Pjesëtarë të këtyre grupeve po shpotiten e po dhunohen, fizikisht e psikikisht nga rrethi ynë mesjetar, nga mentaliteti ynë primitiv i shekullit XXI. Bash si në kohën e Rajhut të Tretë të Adolf Hitlerit!

Me pezmë e hidhërim po e përsërisë se nuk ka asgjë kërcënuese nga homofilët e ndershëm. I rrezikshëm e vrasës për shoqërinë tonë është ai i cili para Policisë sonë sjell narkotikët në shkollat fillore, të mesme e në familje. I zhgënjyer e them se rrezik për kombin është gjykata e korruptuar dhe e shitur tek interesat partiake e klanore.

Shtetrrënues është pushteti që vepron kundër Kushtetutës dhe kundër qytetarit. Nuk është homofili!
Është i dëmshëm për ne si shoqëri e për ne si komb katandisja në materializmin e skajshëm dhe largimin e shoqërisë sonë nga humanja, përjashtimi nga njeri-tjetri e nga socialja.

Mos provoni të ndërtoni “armikun” nga fjala. Kot e keni! Sepse kanceri i shoqërisë sonë është Qeveria e Kosovës, Akademia dhe universitetet e Kosovës. Nuk është ai e as ajo që nuk është si unë e si ti.

Exit mobile version