Telegrafi

Armatosen rojet e pyjeve

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencionit Pyjor të Kosovës, Ahmet Zejnullahu, tregoi se pajisja me armë është parë e nevojshme pas aprovimit të ligjit për armëmbajtje, ku edhe rojeve të pyllit në bazë të këtij ligji i lejohet furnizimi me armë. “Për pajisjen me armë dhe municion të rojeve të pyjeve, ne kemi ndarë nga buxheti ynë rreth 90 mijë euro dhe kemi blerë gjithsej 300 armë, të cilat do t’ju shpërndahen rojeve gjatë muajit janar”, tha kryeshefi Zejnullahu.

Ai thotë se në këtë mënyrë rritet siguria për rojet e pyjeve, të cilët në mënyrë të vazhdueshme janë sulmuar nga prerësit ilegalë dhe kanë qenë të rrezikuar edhe nga kafshët e egra nëpër pyje. “Deri më tash mbi 50 për qind i kanë kryer trajnimet për armë dhe deri në fund të këtij viti, eventualisht në fillim të vitit të ardhshëm, do të përfundoj në tërësi ky proces. Rritja e nivelit të sigurisë për rojet e pyjeve besojmë se do të ndikojë edhe në rritjen e efikasitetit në ruajtjen e pyjeve, sepse shkalla e rrezikut me të cilin ballafaqohen në terren është jashtëzakonisht e madhe”, tha Zejnullahu.
Agjencioni Pyjor i Kosovës, duke parë rrezikshmërinë e rojeve në terren dhe duke u bazuar në nenin 3 të Ligjit për armëmbajtje, muaj më parë kishte paraqitur një kërkesë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për pajisjen me armë dhe municion të rojeve të pyjeve. Kjo kërkesë ishte aprovuar nga ky institucion dhe duke u bazuar në një vendim të Qeverisë së Kosovës për listën e autorizuar, përkatësisht për pajisjen me armë për qëllime të veçanta, e cila në bazë të vendimit ishte klasifikuar si konfidenciale është bërë edhe blerja nga institucionet shtetërore të sigurisë, në pajtim me listën e autorizuar për pajisje me armë. /Telegrafi/