Nga: Daut Dauti
Këto ndërtesa gjenden në Uzbekistan, kryesisht në qytetet Bukhara dhe Tashkent. Por, ndërtesa të këtilla fascinuese, që Perëndimi i quan arkitekturë islamike, ka me mijëra edhe në vendet tjera të këtij rajoni.
Në Mesjetën e hershme ky rajon ka qenë qendra e botës. Andejpari kalonte Rruga e Mëndafshit që niste në Pekin dhe Shangai e përfundonte në Stamboll. Nga Stambolli rruga detare vazhdonte për Venedik. Kaq ka qenë bota atëherë. Andej nuk ka qarkulluar vetëm mëndafshi, por edhe baroti, filozofia, shkenca, poezia … Pra, idetë dhe mallrat.
Pas Luftës së Parë Botërore këto vende kanë rënë nën sundimin sovjetik dhe bota i ka njohur si republikat myslimane sovjetike. Shumica e këtyre ndërtesave kanë qenë para rrënimit, por janë restauruar nga artistët dhe ekspertët sovjetikë të artit dhe të arkitekturës. Shumica e këtyre republikave myslimane, gjatë komunizmit kanë jetuar më mirë se republikat tjera sovjetike. Kjo për shkak se sovjetikët në këtë rajon themeluan bazat hulumtuese bërthamore dhe të aviacionit, nga ku i bënin edhe provat për fluturim në gjithësi. Por, rajoni është zhvilluar edhe për shkak të turizmit të brendshëm sovjetik si edhe atë të jashtëm botëror pasi që sovjetikët dëshironin që botës t’ua tregonin vetëm anën e mirë apo të bukur.
Me siguri për shkak të së kaluarës që nuk ka qenë edhe aq e hidhur, këta popuj sot nuk kanë ndonjë urrejtje të theksuar për rusët. Janë pavarësuar, por lidhjet e tyre primare i kanë me Moskën. Sidomos në aspektin politik janë të lidhur edhe për shkak se Moska (Putini) i mbështet diktatorët që janë në pushtet në këto vende. /Telegrafi/