Site icon Telegrafi

Arkitekturë dhe urbanizëm: Ora

Arkitektura hermafrodite
Lexo po ashtu Arkitektura hermafrodite

Mobilet urbanë ndikojnë në vënien në pah të hapësirave publike. Ato e bëjnë qytetin më tërheqës për banorët, si dhe e përforcojnë imazhin e jashtëm duke e bërë më përfaqësues. Ato duhet të përmbushin rregullat dhe kërkesat, në aspektin e sigurisë, të rezistencës, qëndrueshmërisë, si dhe kodeve të estetikës të modelimit dhe komoditetit që vazhdimisht evoluojnë.

Dikush mund të mendojë se mobilet urbane janë gjëra të parëndësishme të përditshmërisë sonë, por nëse shikojmë më me ngulm formën dhe funksionalitetin e tyre, shohim se janë të determinuara me dimensionet, me shprehitë dhe mundësitë fizikë të njeriut. Prandaj, projektimi i tyre nuk lë as më të voglën hapësirë për gabime, sepse ato elemente shfrytëzohen për dekada.

Një nga mobilet urbane janë edhe zhardinjerat, për të cilat nuk do të flas këtë herë, e veçmas nuk do të flas për ato të cilat janë të vendosura përreth Ministrisë së Arsimit dhe AShAK-ut, sepse në to nuk është mbjellë kurrë ndonjë lule a diçka e tillë; në to mbinë veç bari i egër. Përveçse nuk mbillet gjë në to, ato janë vendosura në perimetrin e jashtëm të asaj që thirret gjelbërim. Kur i shikoj, ma kujtojnë thënien e popullit: “Herë e shtyn hunin, e herë gardhin”. Kështu, trotuari ka mbetur në gjerësi të disa centimetrave.

Nuk do të flas as për krojet publike, të cilat janë aq të pakta sa që mund të konsideroj se mungojnë fare. Përveç krojeve që mungojnë, nuk do të flas as për fontanat e shumta, e sidomos nuk do t’i përmendi as ato dy puse të bretkosave para shtatores së Zahir Pajazitit, sepse ato nuk e kanë pasë vendin asnjëherë aty e lërë më tash kur sa e sa kohë njëra nuk punon farë e as që i dihet burimi i energjisë elektrike. Askush nuk ndërmerr gjë; presin që ajo të rregullohet vetvetiu. Ndërsa, nuk e shfrytëzojnë rastin t’i eliminojnë tërësisht dhe ta bëjnë funksionale atë pjesë të “sheshit”.

Jam në mëdyshje a të flas për shportat e mbeturinave të cilat as nuk janë funksionale e as estetike, me shkallë të madhe të mungesës së higjienës (në veçanti hapësirat nën to dhe përreth tyre që gjithmonë janë të vajosura me ngjyrë të zezë nga kullimi i mbetjeve).

Mobilja urbane për të cilën dua të flas është ora. Diku rreth vitit 3000 p.e.s., koha matej me ndihmën e instrumenteve astronomike, me gnomon; pas kësaj, në mënyrë më praktike – me Diell, deri në vitin 1400 p.e.s.; pastaj ishte klepsidra, deri në vitin 1000, kur njerëzit fillojnë ta matin kohën me qirinj; pastaj ishte ora zallit…. E, në shekullin XIV, fillon përdorimi i orëve mekanike, në vazhdim ato me lavjerrës, analogë, atomikë dhe së fundmi numerikë me kuarc.

Në periudha të ndryshme të zhvillimit të njerëzimit, ora ishte element i rëndësishëm publik. Ajo vendosej në kullat e kishave, në kullat e objekteve publike dhe në kullat e ngritura enkas për to. Ato u shërbenin njerëzve për t`i orientuar në kryerjen e obligimeve ditore.

Tek ne janë trashëguar pak orë të tilla dhe, nëse po, ato kanë qenë jashtë funksionit. Ato “zëvendësoheshin” në një masë me orët e orëndreqësve të cilat i vendosnin në vitrinat e dyqaneve të tyre.

Pas luftës së fundit, edhe pse roli i orëve publike kishte rënë për shkak të telefonave mobilë të cilët të gjithë i kanë nëpër duar, pushteti lokal vendosi t’i bëjë ca orë publike, në kryeqytet. Natyrisht, po të ishin të projektuara mirë, do ta kishin një rol sa funksional e sa estetik në qytet. Mirëpo, ato nuk qenë as estetike e as funksionale. Ta lënë përshtypjen se erdhën aty për ta theksuar më shumë mungesën e qytetarisë; për ta theksuar mungesën e traditës; për ta theksuar mosrespektim ndaj vetvetes; për ta bërët të përbotshme këtë mosrespektim shpërfillës tonin dhe mbi të gjitha, ndoshta për ta vënë në pah filozofinë tonë të mos qarjes së kokës për asgjë, e më së pakti për kohën. Në ato orë, me vjet të tërë akrepat rrinë kryeneçë dhe kokëfortë në të njëjtin vend, thua se donë me çdo kusht t`ia ngulin në kokë gjithkujt se neve nuk na behet vonë kurrë, sa që as orët nuk do venë kurrë në dymbëdhjetë pa pesë.

Lexo po ashtu Koreografia urbanistike
Exit mobile version