Site icon Telegrafi

Arkitektëve shqiptarë

Shkas për të bërë një vështrim, analizë apo kritikë, sido që do ta merrni, për pozitën e arkitektit në gjithë-hapësirën shqiptare ku rol kryesor duhet të kishin arkitektët e Shqipërisë së pavarur nga viti 1912, jo vetëm për respekt formal por për eksperiencën e tyre gati njëshekullore, është situata ekstrem kaotike hapësinore, urbane dhe arkitektonike në tërë territorin ku banojnë shqiptarët, edhe se arkitektura nuk njeh kufi territorial. Nuk duhet harruar se arkitektët shqiptarë ishin shumë të çmuar dhe të kërkuar gjatë periodave të ndryshme të historisë së njerëzimit si Arkitekt Sinani, Andrea Allessis-Durraqi etj. Momentalisht tre vendbanime shqiptare janë pjesë e trashëgimisë kulturore botërore të UNESCO-s, pas një pune të përkushtuar shumëvjeçare të ekspertëve shqiptarë të Shqipërisë (Butrinti, Gjirokastra, Berati)

Arkitektët ishin, janë dhe duhet të jenë bartësit dhe përgjegjësit kryesorë për të gjitha veprimet arkitektonike, urbane dhe hapësinore që kanë ndodhur dhe janë duke ndodhur në tërë hapësirën shqiptare. Ata duhet të jenë prijës e të gjitha proceseve në një shoqëri që nga fillet e civilizimit e deri me sot. Për këtë arkitektët duhet poseduar së pari kualitete njerëzore pastaj profesionale,atë duhet merituar me punë profesionale e jo me veprime të çoroditura të cilat po dominojnë në hapësirën shqiptare.

Këtë duhet kuptuar të gjithë që pretendojnë të kemi një shoqëri të shëndoshë dhe kreative. Deri diku munden me u arsyetuar veprimet e arkitektëve ne Shqipëri në kohën e diktaturës komuniste,kishim edhe raste të burgosjes së pa pranueshme të artistëve dhe arkitektëve (Maks Vello). Në një formë me diktatin partiak u krijua një art dhe arkitekturë që vetëm e kishte emrin arkitekturë e asgjë tjetër, natyrisht kishte përjashtime të rralla (Petraq Kolevica e disa të tjerë) të cilat nuk “çonin kandar” në tërësinë e veprimtarisë arkitektonike dhe urbanistike e cila ishte jashtë standardeve elementare të profesionit dhe të jetës reale shqiptare.

Veprimet e tilla të shtetit shqiptar lanë pasoja të pa shpjegueshme të populli, pas dështimit të regjimit komunist. Këto si duket nuk po janë në gjendje të shpjegojnë apo ti arsyetojnë gjeneratat post komuniste pasi pas “konsolidimit” të shtetit vazhduan të ndërtojnë ashtu si iu tekej pa respektuar as normat dhe standardet elementare të ndërtimit. Ishin disa tentime me konkurse ndërkombëtare për Tiranën, të cilat pa rezervë i kam përkrahur duke e ditur rëndësinë e tyre, të financuar nga fondacionet e huaja, por si duket politika partiake dhe lakmia ndaj parave (korrupsioni) ende do të dominojnë në jetën e shqiptarëve. Duhet të kenë të qartë faktorët vendimmarrës politik se shtetit qendror (Qeveria) duhen ta respektojnë të gjithë pa marr parasysh cila parti politike është në pushtet. Veprimet e zyrtarëve të Tiranës me Planin Rregullues janë të çuditshme, të pa justifikueshme e për mua të pa logjikshme. Nuk është arkitektura dhe urbanistika vetëm “biznes” përfitues, ajo është esenca e ekzistimit dhe funksionimit të një shoqërie dhe të një shteti në tërë territorin e tij, ajo është në thelb formësimi i njeriut të shëndoshe që i ka të gjitha kushtet për të lindur, punuar dhe pushuar, për këtë duhet funksionimi normal i shtetit i cili duhet të garanton këto kushte elementare për ekzistencë të një shoqërie.

Kosova,në historinë e re që nga viti 1912 ka qenë e okupuar nga serbët si rezultat i gjeopolitikës së asaj kohe,shumë ka vuajtur ky popull nga regjimi sllav deri në vitin 1999 kur ushtarakisht intervenoi bashkësia ndërkombëtare (NATO). Ato vlera arkitektonike e pastaj urbanistike nga koha pesëqind vjeçare e Turqisë e shumë parë nga koha pagane, ilire, romake shume shpejt u asgjësuan dhe u kamufluan nga sllavët e jugut. Gjithnjë i kam në kujtesë fjalët e një mendimtari “Biri imë nëntoka shqiptare ruan fshehtësi të mëdha të kohërave të kaluara, vetëm duhet hulumtuar”. Janë raste të rralla kur është ruajtur tërësia urbane e një pjese të kohës turke (Gjakova me Çarshinë e Madhe,Prizreni me tërësinë urbane me vlera autoktone). Në të dy rastet vlerat arkitektonike e posaçërisht urbane janë të pa kontestueshme pasi ato tregojnë origjinalitetin e ekzistencës së popullit shqiptar. Rast eklatant i abuzimeve urbane ishte Prishtina e cila është shkatërruar nga regjimi i kohës në vitet pesëdhjetë nën moton “të ndërtojmë shoqërinë e re”. Aq shumë është keqpërdorur me tërësinë urbane dhe arkitektonike e cila është dhunuar me qëllime të caktuara politike sllave që ishin fatale për ne.

Ndodhi viti 1999, Kosova u çlirua nga regjimi sllav, gjithçka frymoi në erën e shekullit 21, perspektiva, ardhmëria ishte para neve, filloi rindërtimi i hapësirës kosovare të shkatërruar, ishte një solidaritet i pa parë i bashkësisë ndërkombëtare në krye me SHBA-të për rindërtimin e Kosovës së shkatërruar, të gjithë ekspertët parashikonin një prosperitet të pritur, ngjau e kundërta, në skenë dolën të gjitha ata që fare nuk e kishin të rëndësishme interesin shtetëror.

Sot, pas dhjetë viteve,të gjitha vendbanimet në Kosovë janë të ngulfatur, tepër pak është investuar në to, Prishtina si kryeqytet i Kosovës as për afër nuk i përngjan kryeqytetit,t ë gjitha funksionet e një shteti janë koncentruar në një hapësirë minimale në kryeqytet. Për domosdonë e zhvillimit POLICENTRIK të kryeqytetit si dhe të Kosovës të sugjeruar shumë herë nga autori i këtyre rreshtave nuk janë marr seriozisht as nga ”ekspertët” edhe se ato ishin direktiva ndërkombëtare (ESDP-1999) që duhet respektuar nëse pretendojmë të jemi të barabartë me shtetet tjera evropiane. Askush nuk ka të drejtë të privoi popullin shqiptar nga të drejtat elementare ekzistenciale e ma së paku ata që janë duke keqpërdor hapësirën Kosovare.

Me keqardhje më duhet të konstatoi se ajo çka është duke ngjarë në Prishtinë dhe Tiranë nuk ka lidhje me arkitekturën dhe urbanizmin pasi kjo veprimtari esenciale për një shoqëri duhet vënë nën kontroll shtetëror e jo të veprohet si deri me tani, duhen rekonstruime urbane, legalizime shumë të dhimbshme, përpilime dhe aprovime të dokumenteve hapësinore si një domosdoshmëri e cila sidokudo do të kanalizoi problematikën esenciale për funksionimin e një shteti e jo të ndërtojmë pa kontroll shtetërore, ku elementi i sigurisë duhej të ishte esencial e jo mos të kemi qasje te ekipeve shpëtimtare në raste emergjente të zjarreve,v ërshimeve apo erërave si ka ngjarë në vitet e fundit.

Ku janë arkitektët shqiptar sot, një pjesë shumë e vogël e tyre me lidhje të diskutueshme me premisa korruptive dhe të lidhur me grupet të interesit politike të dyshimta, janë duke vepruar pa u brengosur fare me atë që janë duke i bërë hapësirës shqiptare, veprojnë edhe kundër rregullave elementare të projektimit të cilat janë unike në tërë botën,ku është kodeksi moral i arkitektëve i cili duhej të ishte obligues për të gjithë. Pjesa ma e madhe e tyre është e detyruar të bëjnë punë të ndryshme ekzistenciale që kanë pak të bëjnë me profesionin e tyre pa marr parasysh aftësitë e tyre individuale.

Është e ditur se arkitektët munden me u angazhua në shumë detyra, mbi 39 sosh, nga projektantët arkitektonik dhe urban e deri te skenaristët në teatër dhe film por a janë sot duke kontribuar në këto punë ! Jemi duke jetuar në kohën ku dominojnë antivlerat ku ndërtohet pa kontroll shtetëror,ku vlera e punës së arkitektit fare nuk çmohet, iu bëhen nënçmime në çdo hap. Byrotë projektuese në Kosovë duhen me u licencuar në Ministrinë e prodhimit të materialit ndërtimor, këtë nënçmim arkitektët kosovarë janë të obliguar ta respektojnë edhe se për këtë ekziston ministria adekuate (MMPH). Ky mosrespektim i ligjeve është dukuri normale në të gjitha territoret shqipfolëse e për atë jemi aty ku jemi. Dikush do të mendon se këto “tolerime” nuk janë të rëndësishme por historia ka vërtetuar të gjitha pasojat tragjike që ky popull i ka përjetuar me shekuj në fushën e arkitekturës dhe urbanistikës janë rezultat i këtyre veprimeve.

Një dukuri brengosëse është edhe shfrytëzimi jo profesional i të arriturave teknologjike në prezantimin e punimeve kreative arkitektonike dhe urbanistike. Kemi shumë zhgënjime në fazat e ndërtimit deri tek përfundimi i investimeve të ndryshme si rezultat i projektimit formal të pa bazuara në punën profesionale. Me këtë dukuri duhet të merren seriozisht arkitektët dhe institucionet shtetërore nëse dëshirojmë të kemi vepra të mirëfillta arkitektonike, kjo vlen posaçërisht në Kosovë ku niveli i shoqërisë kosovare është ai që është.

Duhet përshëndetur tendencat e kryesisë re të AsA të Kosovës për të ngritur zërin në pozitën e pa lakmueshme të arkitektëve kosovar. Ka tendenca individuale që kjo problematik të turbullohet nga disa faktor vendimmarrës në kryeqytet dhe nga disa individ të pa përgjegjshëm të cilët me kritikat destruktive po reagojë në stili e kohërave të perënduara të sistemit monist si:

• Kritikohet një pesimizëm i shprehur profesional në fushën e urbanistikës nëse është realist,vetëm nëse dikush iu beson sondazheve të dyshimta dhe të pa vërteta që “tregojnë”se jemi populli ma optimist në regjion dhe në botë. Të gjithë ne jemi dëshmitarë të asaj se çka është duke ngjarë te ne e për këtë posaçërisht janë kritikuar arkitektët si pjesë e krimit urban dhe hapësinor pa pasur reagime profesionale.

• Duhet kuptuar se ”Sistemet e ndryshme politike shkojnë e vijnë por profesioni i arkitektit mbetet si prijatar (avangardë) e të gjitha shoqërive të civilizuara. Arkitektin e vërtetë e dallon pos tjerash trimëria dhe sakrifica e jo ngarendja e verbër pas dikujt që punon keq,ajo shumë arkitektëve shqiptar ju mungon. Në fund të karrierës së tyre me siguri shumë arkitekt do të turpërohen me atë që kanë bërë pasi veprat e arkitektëve mbeten si relikte të një kohe, ato preken, shihen e për fat të keq nuk munden të miniminizohën apo të mënjanohen.

• Preferohen teori demagogjike në stilin “ne jemi një” që në thelb e kanë destruktivitetin,e shumë elemente të primitivizmit provincial të cilat vetëm mbrojnë teorinë se vetëm “kalkulohet interesi personal”, në fushën e arkitekturës, urbanistikes dhe planifikimit hapësinor.

• Organet shtetërore manipulojnë popullin me disa ligje për legalizime për të fshehur makinacionet e pafund me ndërtimet dhe mbindërtimet pa leje si dhe me legalizime të dyshimta të cilat nuk kanë fund. Këtë situatë kaotike me territorin dhe hapësirën tonë vet e kemi krijuar, kërkosh nuk na ka faj.

Të gjithë ne dimë të ankohemi kur ngjajnë tragjeditë e ndryshme si rasti në Gjirokastrës kur në nëntor 2008 u rrënua një objekt banimi me pasoja tragjike në njerëz (dy të vdekur), apo rasti në Prishtinë kur një konstruksion kulmi i ndërtuar pa leje nga era e madhe u rrënua, për fat të mirë nuk kishte viktima në njerëz por vetëm dëme materiale. Këso rastesh kemi pa numër pasi nuk është punuar ashtu si e kërkojnë rregullat teknike ku rroli i arkitektit duhej të ishte kryesori. Dhashë zoti mos të kemi ndonjë dridhje toke (termet) se atëherë do të “vetëdijesohemi” se si kemi vepruar.

Ka shumë çështje për të shtjelluar për këtë temë si dhe rrolin kryesor të arkitektit me kreacionet e tyre për mirëqenien e shoqërisë shqiptare por për ketë duhet përkrahja e tërë faktorëve relevant që të mos shkoj koha në pa kthim duke pësuar të gjithë ne duke nënçmuar punën esenciale të arkitektëve ashtu si është vepruar deri me tani në tërë hapësirën shqiptare.

(Autori është ish-zyrtar i lartë në MMPH, në Departamentin e Planifikimit Hapësinor – udhëheqës i divizionit të hulumtimeve – tash arkitekt i pavarur)

Exit mobile version