Christopher Martin, arkëtari nga marketi ku kishte qenë George Floyd para se polici Derek Chauvin t’i shkaktonte plagë vdekjeprurëse, ka thënë sot në seancën dëgjimore se i ndjeri kishte sjellje të një “të droguari”, por që ishte në gjendje të komunikonte me tjerët.
Disa dëshmitarë në mesin e tyre edhe një djalë 9-vjeçar, dy ditë më parë e kishte treguar në gjykatë se si për të kishte qenë shokuese që kishte parë Floyd po ndërronte jetë derisa Chauvin i mbante gjurin në qafë, transmeton Telegrafi.
Madje në gjykatë janë publikuar pamjet ku shihet Floyd i disponuar në market, disa minuta para se të përfundonte nën gjurin e policit. Ndryshe videoja është filmuar më 25 maj të vitit të kaluar, duke shkaktuar protesta masive në mbarë Shtetet e Bashkuara.
Chauvin menjëherë ishte shkarkuar nga detyra pas publikimit të pamjeve ku shihet duke ia mbajtur gjurin në qafë tashmë të ndjerit – i cili qëndronte i shtrirë me fytyrë për asfalti dhe ishte i prangosur. E polici që po akuzohet për vrasje ka thënë në gjykatë se nuk ndihet fajtor pas akuzës që rëndon mbi të – “për vrasje”.
Deri te tragjedia erdhi kur Floyd ia dha arkëtarit të marketit Christopher Martin, 19-vjeç, një bankënotë prej 20 dollarë. Ai kishte menduar se bëhet fjalë për para të falsifikuara, kështu menjëherë e raportoi tek menaxheri i lokalit – e disa minuta më vonë është arrestuar Floyd nën akuzën se kishte tentuar të përdor para të falsifikuara. /Telegrafi/