Telegrafi

ARKEP ua vazhdon licencat e frekuencave Telekomit dhe IPKO-s edhe për 20 vjet

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) edhe për 20 vjet ia ka vazhduar përdorimin e resurseve frekuencore dy operatorëve telefonik Telekomi dhe IPKO.

Kryetari i Bordit të ARKEP-it, Kreshnik Gashi, tha se pas rreth 18 muajve analizë ARKEP ka marrë vendim që edhe për 20 vjetët e ardhshme t’u jepet e drejta për shfrytëzim të resurseve frekuencore operatorëve Telekomi i Kosovës dhe IPKO.

Gashi madje ka treguar edhe kapacitetet frekuencore që i kanë në shfrytëzim operatorët telefonikë në Kosovë.

“Të dy këta operatorë kanë bërë kërkesë në Rregullatorin e Kosovës në ARKEP për përdorim të resurseve frekuencore që ata kanë në dispozicion për 20 vjetët e ardhshme. ARKEP në analizim të kërkesave të tyre dhe në pajtueshmëri me ligjet e Republikës së Kosovës, por edhe me rregulloret dhe direktivat e Bashkimit Evropian, ka miratuar kërkesat e këtyre dy operatorëve për vazhdim të përdorimit të resurseve frekuencore për 20 vjetët e ardhshme për Telekomin e Kosovës në kapacitete për 2×10 megaherc në brezin 900 megaherc, si dhe 2 x 25 në brezin 1800 megaherc. Pra, janë këto resurset frekuencore që Telekomi i Kosovës i ka pasur në dispozicion deri më tani, si dhe vazhdimin për përdorimin e resurseve frekuencore për operatorin IPKO në kapacitet prej 2 x 10 megaherc, dhe 2 x 20 megaherc në brezat 900 deri 1800 megaherc”, u shpreh Gashi, shkruan Kosova Press.

I pari i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare tha se Telekomi i Kosovës për resurset frekuencore do të paguajë 15.7 milionë euro, kurse IPKO rreth 11.7 milionë euro.

“Vlera e resurseve frekuencore që operatorët do të paguajnë për këto kapacitete për Telekomin e Kosovës, e ndarë në 10 këste, është diku rreth 15.7 milionë euro, ndërsa për operatorin IPKO është rreth 11,7 milionë në varësi të resurseve që kanë në dispozicion”, u shpreh Gashi.

Kryetari i Bordit të ARKEP-it po ashtu tha se ARKEP do të ndërmarrë edhe hapa tjerë për dhënien e resurseve shtesë me qëllim të zhvillim të sektorit të telekomunikacionit në Kosovë.

“Më tutje parashihen të ndërmerren edhe hapat tjerë që janë dhënia e resurseve shtesë që do të mund të shfrytëzojnë kompanitë për zhvillimin e mëtutjeshëm të sektorit të telekomunikimeve në Kosovë. Mendoj që dhënia e këtyre resurseve frekuencore në dispozicion për 20 vjetët e ardhshëm në pajtim me standardet dhe praktikat evropiane u mundëson këtyre kompanive një zhvillim të qëndrueshëm dhe u ofron mundësi për parashikim rregullator në aspektin e zhvillimit të teknologjisë së tyre, por në të njëjtën kohë mundësinë e brezave të tjera frekuencore shtesë në të cilat do të mund të zhvillohen teknologjitë më të reja sidomos te teknologjia 5G”, tha ai./Telegrafi/