Telegrafi

ARKEP ftohet të raportojë para komisionit për ofertën e Telekomit serb për ta blerë IPKO-n

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati ka thënë se kanë ftuar për raportim në Komision parlamentar për Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike bordin e Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, për ofertën e përfolur se Telekomi serb do të blejë kompaninë IPKO.

Kështu ka bërë të ditur Murati përmes një postimi në Facebook.

Murati ka thënë se kompanitë e telekomunikimit janë çështje të sigurisë kombëtare dhe është e papranueshme që të bien në dorë të një shteti që e mohon ekzistencën e shtetit tonë.

Raportimi i ARKEP në komision do të bëhet gjatë ditës së martë.

“Kompanitë e telekomunikimit janë çështje e sigurisë kombëtare. Andaj është e papranueshme që ato të bien në dorë të një shteti që mohon ekzistencën tonë! Në lidhje me ofertën e përfolur në media të Telekomit serb për të blerë kompaninë IPKO, anëtarët e komisionit nga grupi parlamentar i LV! sot kërkuam që të ftohet për raportim bordi i ARKEP. Raportimi u vendos të bëhet të martën që vie”, njofton Murati. /Telegrafi/