Kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Kreshnik Gashi, të martën ka nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit ndërmjet Njësisë Nacionale për Siguri Kibernetike (KOS-CERT) si pjesë e ARKEP dhe Qendrës Nacionale për Reagim ndaj Incidenteve Kompjuterike (MKD-CIRT) si pjesë e Agjensionit për Komunikime Elektronike të Republikës së Maqedonisë (AEC), shkruan Telegrafi.
Memorandumi i bashkëpunimit i nënshkruar në mes dy institucioneve parasheh bashkëpunimin në trajtimin e incidenteve në hapësirën kibernetike, shkëmbimin e përvojave në fushën e sigurisë kibernetike përmes programeve të trajnimit në dispozicion me qellim të ngritjes dhe avancimit të stafit si dhe të identifikoje mundësitë për shkëmbim akademik dhe bashkëpunim në kërkim dhe zhvillim.
Në takimin e mbajtur me rastin e nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet ekipeve nacionale CERT të Kosovës dhe Maqedonisë, Kryetari i Bordit të ARKEP, Kreshnik Gashi dhe Drejtori i AEC-ut, Sasho Dimitrioski i kushtuan vëmendje të veçantë aktiviteteve te të dy organeve rregullatorë dhe ekipeve nacionale CERT në drejtim të përmirësimit të sigurisë kibernetike dhe koordinimit të aktiviteteve në mbrojtjen nga incidentet kibernetike. /Telegrafi/