Pas anulimit të festivalit shkaku i pandemisë globale, “Eurovision” ka gjetur një mënyrë tjetër për të qenë afër fansave të evenimentit.
Ata po realizojnë dy netë gjysmëfinale në versionin online, teksa të shtunën do të realizojnë finalen e festivalit po në versionin online, në një natë e cila është quajtur “Eurovision: Europe Shine A Light”.
Këtë vit nuk do të ketë fitues, por secili artisti reprezentues i shteteve përkatëse do të interpretojë nga shtëpia këngën e tij.
Arilena ishte paraparë të këndonte në natën e dytë nëse festivali do të mbahej, dhe rrjedhimisht ajo do të kyçet sonte (e enjte) në lidhje direkte në koncertin virtual të “Eurovisonit”-it.
E emocionuar për këtë mbrëmje, Arilena Ara ndau me ndjekësit e saj një fotografi, ku paralajmëronte pjesëmarrjen e saj në këtë mbrëmje.
“E emocionuar për “Eurovision Song Celebration” në orën 21:00 sonte! Ju dërgoj gjithë dashurinë time nga Shqipëria”, shkroi këngëtarja shkodrane në mbishkrimin e fotografisë.
Arilena përndryshe ishte përzgjedhur si reprezentuese e Shqipërisë në “Eurovision” këtë vit me këngën “Shaj”, e cila në versionin anglisht u konvertua me titullin “Fall from the sky”. /Telegrafi/