Telegrafi

Arilena deklarohet për herë të parë pas anulimit të “Eurovisionit”: Asgjë nuk është më e rëndësishme se shëndeti juaj

Foto: Arilena Ara/Instagram

Festivali i madh “Eurovision” njoftoi të mërkurën se edicioni i sivjetmë është anuluar, për shkak të përhapjes së virusit COVID-19.

“Pasiguria e krijuar nga përhapja e COVID-19 në të gjithë Evropën – dhe kufizimet e vendosura nga qeveritë e transmetuesve pjesëmarrës dhe autoritetet Holandeze – do të thotë se Unioni i Transmetuesve Evropian (EBU) ka marrë vendimin e vështirë se është e pamundur të vazhdohet ngjarja live siç ishte planifikuar”, thanë ata në një deklaratë të lëshuar për media në rrjetet sociale.

Si rrjedhojë, pjesëmarrja e sivjetme e Arilena Arës me “Fall from the sky” anulohet pak kohë pasi versioni final ishte përgatitur tërësisht.

Këngëtarja reagoi për herë të parë në orët e vona të së mërkurës, duke publikuar një video nga koha kur incizonte këngën në Los Angeles të Kalifornisë.

Ajo shkroi në mbishkrimin e kësaj video se ndjehet falënderuese ndaj gjithë atyre që punuan me përkushtim, teksa tha se shëndeti i të gjithëve është primar në këto kohë.

“Këto janë disa sekonda të prera nga një muaj intensiv në Los Angeles, ndërsa punonim për “Fall from the Sky”. Nuk mund të përshkruaj sa krenare, mirënjohëse dhe e lumtur jam për çdo moment, jo vetëm unë, por për secilin prej nesh që futi diçka në këtë këngë. Gjithë përkushtimin, pasionin, dashurinë dhe emocionin që vendosëm në të. Ky është përkufizimi im i lumturisë! Faleminderit për gjithë dashurinë dhe mbështetjen tuaj! Ju bëni çdo përpjekje me vlerë! P.S Asgjë nuk është më e rëndësishme se shëndeti juaj. Ju lutemi, qëndroni në shtëpi! Qëndroni të sigurt. Ju dërgoj gjithë dashurinë time. Zoti e bekoftë secilën prej jush”, shkroi Arilena në Instagram.

Arilena Ara përndryshe kishte prerë biletën si përfaqësuese e Shqipërisë sivjet në “Eurovision 2020”, pasi ishte shpallur fituese Festivalit të RTSh-së në dhjetor të vitit të kaluar me këngën “Shaj”. /Telegrafi/