Ish-kryenegociatori për dialogun Kosovë-Serbi, Avni Arifi ka deklaruar se Ura mbi lumin Ibër duhet të hapet.
Por, se thotë se janë disa procedura që është dashur të ndiqen nga Qeveria, por se kjo e fundit nuk ka vepruar në këtë drejtim.
Arifi në një intervistë për kp, shton se ura mbi lumin Iber duhet të hapet në koordinim me aleatët, derisa shprehet se nuk është në interes të Kosovës konfrontimi me NATO-n.
“Natyrisht që duhet të hapet ura, mirëpo janë disa procedura të cilat Qeveria jonë nuk i ka ndjekë do të thotë komunikimi, posaçërisht me komandantin e KFOR-it, është shndërru kjo si një temë elektorale, qëllime elektorale, qëllime të brendshme politike dhe tash kemi një konfrontim me KFOR-in dhe nuk besoj që për një kohë të caktuar do të kemi hapje të urës… Natyrisht me koordinim sepse ajo urë nuk është si urat e Saradranit që është urë e thjeshtë, ka një domethënie politike, ka një domethënie të rëndësishme të sigurisë nga perspektiva e NATO-s dhe perspektiva e KFOR-it dhe ajo ka qenë faktikisht nën komandën e drejtpërdrejtë të komandantit të KFOR-it dhe kjo ka qenë një temë që është dashtë vetëm në nivel të komandantit të KFOR-it faktikisht larg mediave, larg opinionit publik me u diskutua dhe gradualisht me u hap.
Nuk besoj se kjo i shërben Kosovës dhe nuk besoj që është në interes të Kosovës konfrontimi me NATO-n, konfrontimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sa i përket Kosovës nuk është në interes të Kosovës dhe nuk i shërben Kosovës dhe e dëmton rëndë Kosovën”, ka thënë Arifi.
Arifi ka thënë se për Urën e Ibrit do të diskutohet prapë në Bruksel, për çka shton se kjo po ndodhë për shkak të Qeverisë së Kosovës.
E ky gabim i Qeverisë sipas Arifit, ka bërë që për hapjen e Urës mbi lumin Ibër të diskutohet prapë dhe të arrihet një aprovim nga të tria palët në Bruksel.
“Ne tash po e shohim është KFOR-i aty, është NATO. Është e paimagjinueshme një tendencë e Qeverisë së Kosovës me forcë me hap, do të kthehet, do të diskutohet në Bruksel për temën e urës me gjithë rezistencën, me gjithë padrejtësinë që po bëhet, prapë sigurt do të jetë temë e bisedimeve në Bruksel. Jo, ai është kry dialogu. Faktikisht kjo qeveri e ka sjellë prapë në Bruksel sepse ajo temë është kryer në 2017, ka mbetë vetëm çështja e kohës së duhur dhe kjo kohë e duhur ka mujt me u arrit me komunikim të duhur me komandantin e KFOR-it dhe s’ka pas nevojë me u marr Brukseli, mirëpo mënyra, qasja e kësaj qeverie ka bërë që prapë duhet të takohen dhe të arrihet një aprovim nga tri palët në Bruksel për hapjen e saj. Është gabim strategjik i kësaj Qeverie që në këtë mënyrë kur kemi hyrë në një fazë zgjedhore tentohet të arrihet një sukses i cili për neve gjithsesi ka rëndësi shumë të madhe, mirëpo palët tjera që janë në Kosovë prej vitit 1999 kanë diçka çka me thënë”, ka shtuar ish-kryenegociatori Arifi.
Ditëve të fundit zyrtarët qeveritarë kanë thelluar polemikat me ndërmjetësin evropian të dialogut Miroslav Lajçak lidhur me mospajtimet për hapjen e Urës mbi lumin Ibër. Nga pala kosovare po thonë që Bashkimi Evropian ka ndryshuar qëndrim për këtë temë, derisa ndërmjetësi Lajçak ka thënë se këto deklarata janë çorientuese.
Lidhur me këtë ish-kryenegociatori Arifi thotë se kontributi i Lajçakut tashmë dihet, por se këto polemika nuk i ndihmojnë Kosovës.
“Kontributin e Lajçakut faktikisht tashmë po dihet, e ka pas një kontribut aspak të mirë në procesin e bisedimeve, e ka sjellë tërësisht tërë dialogun Kosovë-Serbi vetëm në Asociacion në bashkëpunim shumë të mirë fillimisht me Qeverinë Kurti. Këto polemika nuk i ndihmojnë Kosovës, nuk ndihmojnë kurgjo, faktikisht niveli për hapjen e urës dihet çfarë është. Se çfarë po thotë Lajçaku besoj se nuk i ndihmon Kosovës, mirëpo as ne si Kosovë nuk besoj që do të duhej të biem në nivel të tillë të debatimit me Lajçakun, kurse faktor vendimtar nuk është fare Lajçaku”, ka deklaruar Arifi.
Kurse, sa i përket ecurisë së dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, ish-kryenegociatori Avni Arifi, ka thënë se dialogu është në gjendje kome.
“Është në gjendje kome, nuk do të ndodhë asgjë dhe shpresoj që nuk do të vijnë ata me ndonjë iniciativë sepse çfarëdo iniciative që sjellë sot Lajçaku, Kurti do të përpiqet që ta përdorë për blerje të votave dhe kësisoj pa marrë parasysh se a do të dëmtohet Kosova apo jo. Fatmirësisht, kemi zgjedhje në Amerikë, pra Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpresoj që nuk do të jenë shumë të përkushtuara që të ketë një shtyrje, Lajçaku është i përkohshëm pra deri në janar, shpresoj që deri në janar kur dhe do të kemi zgjedhje nacionale të mos ketë ndonjë iniciativë nga BE sepse përgjigja e Kosovës dihet çfarë do të jetë. Do të jetë populiste, e dëmshme për Kosovën por në shërbim të mbledhjes së votës për Kurtin dhe partinë e tij. Shpresoj që nuk do të ndodhë ajo”, është shprehur Arifi.
Qeveria e Kosovës ende nuk e ka dërguar në Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit për të vërtetuar kushtetutshmërinë e tij, ani pse kjo është kërkesë e ndërkombëtarëve.
E, për këtë ish-kryenegociatori Avni Arifi, thotë se kryeministri Albin Kurti nuk do ta bëjë një gjë të tillë sidomos tash që siç thotë Arifi jemi në fushatë zgjedhore.
“Nuk e dërgon Kurti sidomos tash në këtë fushatë që jemi. Së pari ky draft-statut e ka pas një ecuri, ne e kemi pas shancën prej janarit 2023 që vet ta hartojmë. Nuk e kemi hartuar, atëherë e ka hartuar BE-ja dhe problemi tash se ai draft-statut duhet me atë përmbajtje që e ka është kërkesë e BE-së, pra BE-ja nuk kërkon më Asociacion nga Kosova, por po e kërkon këtë draft-statut dhe këtë Asociacion me këtë faktikisht i është ngushtu hapësira në minimum Kosovës për me nxjerr më të mirën nga Asociacioni që kjo Qeveri edhe qeveritë e tjera kanë marrë obligim ndërkombëtar për me implementu”, ka thënë Arifi.