Shefi i stafit të kryeministrit Haradinaj, Avni Arifi, thotë se koalicioni e mbështet Presidentin, Hashim Thaçi, për kryenogociator të fazës finale të dialogut Kosovë-Serbi.
Pas qëndrimit të LDK-së kundër formatit të ri të dialogut, Arifi beson se do të gjendet një zgjidhje tjetër, por thekson se kompetentë për këtë punë janë janë: Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Behgjet Pacolli dhe Fatmir Limaj.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mbrëmë kishte trokitur në derën e Isa Mustafës, për të mësuar përfundimisht nëse partia më e madhe opozitare do ta mbështesë idenë e koalicionit aktual qeverisës, për Hashim Thaçin kryenegociator të bisedimeve Kosovë-Serbi.
Edhe pas kësaj përpjekje, mbrëmë koalicioni nuk mori përgjigje pozitive nga Mustafa siç kishin marrë për Demarkacionin.
Lideri i LDK-së, Isa Mustafa pavarësisht qëndrimeve të ndryshme që anëtarët kryesorë të kësaj partie patën për ta mbështetur Thaçin në këtë proces, theksoi se Presidenti nuk do ta gëzojë përkrahjen e partisë së tij dhe se vendimi në fjalë është unik.
Shefi i stafit të kryeministrit Haradinaj, Avni Arifi, thotë se koalicioni e mbështet Hashim Thaçin për kryenegociator të bisedimeve, përderisa thotë se për të marrë pëlqimin edhe të opozitës duhet që përmes bisedimeve të gjendet një zgjidhje.
“Qëndrimi i koalicionit është ky që e di krejt Kosova që e mbështet Thaçin për ta udhëhequr dialogun”, tha Arifi, për Gazetën Express.
Ai beson se koalicioni do të gjejë një tjetër zgjidhje.
“Unë personalisht nuk jam pjesë e këtij procesi i takon lidëreve politikë me ardhe deri te një zgjidhje, besoj se duket me u gjet një zgjidhje. Edhe duhet me bisedu. E kam problem me vlerësu qëndrimin e një lideri të partisë opozitare. Besoj që duhet me vazhdu bisedimet për me u gjet një zgjidhje”, thotë Arifi më tej.
Ai theksoi se për të ardhur deri te kjo zgjidhje, kompetentë për këtë punë janë: Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj etj.
LDK përfundimisht nuk do ta mbështes Hashim Thaçin për udhëheqës të dialogut Kosovë-Serbi, kështu ka bërë të ditur vetë kryetari i partisë, Isa Mustafa, i cili, sot përmes një postimi në Facebook, ka thënë se LDK mbetet unike në kundërshtimin e këtij formati të dialogut.