Telegrafi

Arifi: Taksa ndaj Serbisë, nuk ka lidhje me raportet Kosovë-SHBA

Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Avni Arifi ka thënë se Kosova do të jetë gjithmonë e rreshtuar në mesin e popujve të lirë.

Arifi ka shkruar në Facebook se orientimi i Kosovës me Amerikën, nuk ka qenë dhe nuk do të jetë vlerë e ndonjë lideri lokal.

Ai ka thënë se taksa ndaj Serbisë, nuk ka asnjë lidhje në raportet Kosovë-Amerikë, transmeton Telegrafi.

“Populli i Kosovës gjithmonë do të jetë i rreshtuar në rreshtin e popujve të lirë të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky rreshtim kurrë as nuk ka qenë e as nuk do të jetë për shkak të ndonjë lideri lokal e as subjekt i definimit të miqësisë nga lider lokal. Besimi i popullit të Kosovës buron nga besimi në demokracinë dhe lirinë e SHBA dhe vlerat për të cilat ky shtet qëndron dhe lufton me shekuj. Tarifa ndaj shtetit Serb asnjë lidhje nuk e ka me raportin tonë karshi SHBA”, ka shkruar Arifi në Facebook.

Arifi ishte pjesë e takimit që Haradinaj pati sot me përfaqësuesit e lartë amerikanë. /Telegrafi/