Telegrafi

Arifi: Shqiptarët e Maqedonisë duhet të marrin shembull nga ndryshimet politike në Preshevë

Një parti e re që i ka sfiduar partitë me një mentalitet shumë të vjetër. Kështu e quajti partinë e tij Alternativa për Ndryshim, kryetari i sapozgjedhur i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, në emisionin ‘Intervista’ në TV Shenja. Ai tha se partitë e vjetra në Luginë, nuk i kanë shërbyer popullit.

Sipas tij, qytetarët e Luginës janë një shembull shumë i mirë edhe për Maqedoninë, për mënyrën e të bërit ndryshime në pushtet.

“Qytetarët e Preshevës e kanë bërë një kthesë simbolike për gjithë rajonin, si mësim që të nxjerren konkludimet e njejta edhe në Maqedoni”, deklaroi ai.

I pyetur për mos hapjen e kufirit Llojan-Miratoc, Arifi tha se humbjet nga moshapja e kësaj pike kufitare, janë të mëdha.

“Humbjet janë të shumëfishta. Nuk varet prej kryetarit të komunës që ta hap kufirin, por unë si kryetar duhet të kontriboj që kufiri të hapet”, tha Arifi./Telegrafi/