Telegrafi

Arifi: Sektori privat, nuk po respekton të drejtat e punëtorëve

Të drejtat e punëtorëve në Kosovë nuk po respektohen aspak. Madje shkelësi më i madh i këtyre të drejtave, mbetet sektori privat. Kështu pohoi kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Haxhi Arifi, në shënimin e 7 tetorit, Ditës Ndërkombëtare për Punë dhe Jetë Dinjitoze.

Me moton “Ju keni të drejta, andaj veproni ”, BSPK e ka shënuar këtë ditë së bashku me rrjetin të rinjve të BSPK-së.
Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi, me këtë rast pohoi se sektori privat, mbetet ai në të cilin ka më së shumit shkelje të të drejtave të punëtorëve.

Andaj sipas tij BSPK, do të vazhdoj vizitat në këtë sektor, për të parë nga afër se a po zbatohet ligji i punës apo ka shkelje të tij. “Ne çdo vit e festojmë këtë Ditë Ndërkombëtare, ditë e punës dinjitoze e jetës dinjitoze. Ne si BSPK këtë vit e kemi organizuar dhe me rrjetin e te rinjve, të BSPK-së dhe jemi duke bërë një sensibilizim, gjithkund nëpër sektorin privat. Sepse pikërisht aty na duhet një punë dinjitoze, një jetë dinjitoze. Sepse atje më së shumti ka shkelje të të drejtave të punëtorëve në vendin e punës….Ne e kemi marrë përsipër që tani në sektorin privat do të bëjmë vizita, me një program që e kemi nxjerrë si kryesi e BSPK-së, t’i vizitojmë t’i anëtarësojmë njerëzit atje që janë të interesuar dhe të shikojmë se a implementohet Ligji i Punës dhe a ka shkelje të ligjit të punës në këto ndërmarrje”, tha Arifi.

Ai thekson se në BSPK, çdo ditë ka ankesa nga punëtorët për shkelje të të drejtave të tyre. Por të cilët preferojnë të mbesin anonim nga frika se mund ta humbin vendin e tyre të punës. Ai thotë se ka edhe punëtorë të cilët janë ankuar, paga e të cilëve nuk e arrin as shumën e pagës minimale, gjë që është një shkelje e rëndë.

“Po kemi ankesa. Para tri katër dite na ka ardhur një numër prej 30 punëtorëve që punojnë në një agjencion i cili i paguan 114 euro pagën. As pagën minimale nuk e paguajnë në ato sektore…Ne po mundohemi ta bëjmë një punë dinjitoze. Por jetë dinjitoze jemi shumë larg asaj. Sepse ju po e shihni se cilat janë shkeljet që bëhen ndaj punëtorëve. Nuk kemi një jetë dinjitoze, siç e kanë shtetet në regjion dhe me një demokraci të ndërtuar në Evropë“, tha ai.

Megjithëse janë nxjerrë ligje për implementimin e të cilave është përgjegjëse Qeveria, respektivisht Ministria e Punës, Arifi thotë se me një numër kaq të vogël të inspektorëve nuk mund të kryhet puna ashtu siç duhet. /Telegrafi/