Shefi i ekipit negociator të Kosovës me Serbinë dhe shefi i kabinetit të kryeministrit kosovar, Avni Arifi i ka reaguar ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, i cili propozoi “ndarjen e Kosovës”.
Vulin gjatë një tryeze deklaroi se zgjidhja më e mirë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve do të ishte me ndarjen e Kosovës.
Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar ashpër shefi i delegacionit kosovar për bisedime me Serbinë, Avni Arifi.
Ai ka thënë se askush nuk do ta prekë asnjëherë sovranitetin dhe territorin e Kosovës.
“Nuk i komentoj deklaratat e Serbisë, nuk merrem me to. Vetëm i përkujtoj Vulinit edhe gjithë të tjerëve që Kosova është shtet Sovran dhe i pavarur me kufij, dhe kurrë nuk ka me u prek sovraniteti dhe territorialiteti i saj”, ka thënë Arifi, për lajmi.net.
Tutje këshilltari i kryeministrit Haradinaj ka thënë se ëndrrat e Vulinit për Kosovën kanë përfunduar më 17 shkurt.
Ai krejt në fund ka pasur edhe një urim për qytetarët e Kosovës.
“Ëndrrat e Vulinit e të tjerëve kanë vdekur me 17 shkurt. Urime 10 vjetori i pavarësisë së Kosovës”, ka përfunduar Avni Arifi.
Ndryshe, deklarata e tilla të serbëve për ndarjen e Kosovës ka pasur edhe më herët.