Kryetari i Komunës së Preshevës Shqiprim Arifi, ka shprehur kritika ndaj Shqipërisë për mos-mbështetje financiare ndaj projekteve në Luginën e Preshevës.
Arifi, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se taksa ka dëmtuar prodhuesit e Luginës së Preshevës.
“Prodhuesit që janë në Luginën e Preshevës e shfrytëzojnë tregun e Kosovës për të plasuar produktet e tyre. Në këtë drejtim taksa e vendosur nga Kosova na ka dëmtuar në gjithçka. Nuk është se Presheva po dëmtohet për herë të parë”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Kryetari i Komunës së Preshevës ka thënë se Ramush Haradinaj ka financuar disa projekte në Komunën e Preshevës dhe për këtë ai thotë se meriton respekt.
“Çfarë doni mund të flisni, por kryeministri Haradinaj e ka treguar vetën karshi Preshevës me Lekë. Na ka dhënë para për parqe, teatro, për ndërtimin e shkollave të teknologjisë informative (IT), për subvencionime të ndryshme etj. Ai e ka treguar dhe po e tregon veten”.
Arifi ka thënë se ka kritika të mëdha ndaj qeverisë së Shqipërisë, pasi sipas tij ndër vite Presheva është injoruar nga autoritetet e shtetit shqiptar./Telegrafi/