Avni Arifi, këshilltar politik i kryeministrit Ramush Haradinaj, i është përgjigjur Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, në kërkesën e saj për heqjen e taksës 100% ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, të vendosur nga qeveria e Kosovës javën e kaluar.
“Do të dëshiroja që Mogherini dhe ekipi i saj të ishin të mobilizuar për implementimin e marrëveshjes për energji ashtu siç janë mobilizuar për heqjen e taksës 100%. Befasuese të shohësh tërë këtë dinamikë, tërë këtë emocion në mbrojtje të interesave serbe. Fatkeqësisht, kjo qasje e njëanshme solli te dështimi i plotë i dialogu”, ka shkruar Arifi në Facebook.
Më herët gjatë ditës, Mogherini ka kërkuar nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që Kosova ta heqë taksën 100% ndaj prodhimeve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Kjo kërkesë nga Mogherini është bërë në një bisedë telefonike me Presidentin Thaçi.
Siç njofton Zyra e Mogherinit, në këtë bisedë janë shqyrtuar zhvillimet e fundit në kontekst të dialogut të ndërmjetësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.