Site icon Telegrafi

Arifi: Nxënësit shqiptarë në Luginë po detyrohen ligjërisht ta intonojnë himnin serb në shkollë

Foto: Arkiv

Nxënësit në Kosovë nuk e kanë filluar ende vitin e ri shkollor për shkak të grevës në arsim.

Por, bashkëkombësit e tyre në Luginë të Preshevës, mësimin e nisën më 1 shtator, ndonëse me një veçori diskriminuese.

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, njoftoi të mërkurën se nxënësit shqiptarë në Luginë janë të detyruar ligjërisht nga autoritetet serbe të intonojnë himnin serb në ditën e parë të shkollës.

Në llogarinë e tij në Facebook, Arifi publikon një dokument, që sipas tij, pasqyron vendimin për detyrimin e intonimit të himnit serb “Boze Pravde” në shkollat shqiptare të Luginës së Preshevës.

“Tani shtrohet pyetja retorike, si qëndron e tëra kjo me të drejtat elementare të shqiptarëve në Luginë, kur dihet se simbolet kombëtare shqiptare janë të ndaluara. Kur jemi tek reciprociteti, cilat aktivitete e zhvillime janë ndërmarrë dhe planifikuar në këtë drejtim nga Qeveria e Republikës së Kosovës?”, shkroi ai.

Tutje, Arifi tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është i mirëseardhur për vizitë në shkollën fillore më të madhe shqiptare në Luginën e Preshevës, “të njoftohet për së afërmi me ketë padrejtësi dhe njëmijë padrejtësi të tjera”. /Telegrafi/

Exit mobile version